Rojet shohin ndeshjen, 11 persona ikin nga burgu

Një trazirë, që duket se është planifikuar mirë ka ndodhur në burgun e Trikalas, në Greqi, ku dy oficerë police janë plagosur me armë, dhe dyshohet se 11 të burgosur janë arratisur nga burgu. Nga numërimi i të dënuarve në orët e para të mëngjesit, bëhet fjalë për të paktën 11 të arratisur, të gjithë të huaj, mes të cilëve edhe shqiptarë të dënuar për vjedhje dhe grabitje.
Më shumë se 10 njerëz kanë marrë pjesë në sulmin me armë, sipas informatave të policisë. 400 gëzhoja kallshanikovi janë gjetur në vendngjarje dhe 6 kratere të shpërthimit të granatave. Vetëm në një nga këndet e burgut ku ishte qëlluar, janë gjetur shenjat e 74 plumbave. Sipas medieve greke, zyrtarët e burgut kishin shkuar të shikojnë ndeshjen Greqi-Bosnjë. Kjo dyshohet se i ka dhënë liri të burgosure të arratisen pa shumë mundim.
Gjithçka ka nisur në orët e mbrëmjes, ku dy furgonë i janë afruar burgut dhe kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri ndaj punonjësve të policisë, që ndodheshin në ambientet e burgut. Personat të armatosur kanë nisur të qëllojnë nga jashtë, ndërkohë që të shtëna armësh u dëgjuan edhe nga brenda ambienteve të burgut.
Të shtënat e armëve ishin nga anët ku ndodhen të burgosurit shqiptarë, të cilët kanë prerë me sharrë hekurat e qelisë dhe kanë dalë në tarracë duke qëlluar me armë. Nuk dihet ende sesi janë futur armët në mjediset e burgut, por dyshohet se kallashnikovët mund të jenë futur në burg, ditën e tentativës për arratisje të të dënuarit Panajotis Vlastos, në fund të marsit.
Policia aktualisht po punon për kapjen e grupit të të arratisurve, që dyshohet se janë më shumë se 5 veta. Një i burgosur me shtetësi argjentinase u kap gjatë tentativës për ikje, dhe po merret në pyetje nga policia. Ndërkohë që dy oficerët, njëri prej të cilëve rëndë, janë shtruar në spital për të marrë mjekimet e duhura. Së fundmi tentativat e të burgosurve shqiptarë kanë tronditur opinionin.
Përmendim rastin e një jave më parë, ku Alket Rizai tentoi ikjen duke marrë peng 6 persona, që i lëshoi pas 22 orësh. Rizai kërcënoni se nëse nuk lejohej të dilte nga qelitë do të hidhte në erë burgun./Indeksonline/