Daçiq: Nëse na kalon Shqipëria, duhet të bëjnë vetëvrasje kolektive!

Me marrëveshjen e arritur në Bruksel, për veriun e Kosovës, është garantuar siguria më e madhe e mundshme për popullatën serbë në këtë pjesë.
Kështu ka deklaruar Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili në një intervistë për televizionin shtetëror serb, RTS, ka thënë se ka marrë garancinë nga ata që komandojnë, se ushtria e Kosovës nuk guxon të hyjë në veri.
“Kjo është hera e parë që kemi marrë kësi garancionesh. Ato na janë dhënë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kurse e pranishme ka qenë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton. Ata janë garantuesit e marrëveshjes”.
Sipas tij, ushtria e ardhshme e Kosovës, ose cilido formacion tjetër, nuk do të mund të hyjë “në territorin e katër komunave”.
“Ata mund të hyjnë vetëm me bekimin e KFOR-it, përkatësisht NATO-s dhe atë në raste të katastrofave natyrore dhe me lejen e serbëve. Ne nuk kemi mundur të paramendojmë garancion më të madh”, ka thënë Daçiq, transmeton Klan Kosova.
Ai ka hedhur poshtë pohimet se me arritjen e marrëveshjes me Prishtinën, Beogradi “ka shitur Kosovën” për të fituar datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, Daçiq ka nënvizuar se hyrja në BE është interes kombëtar dhe shtetëror i Serbisë, “meqë ky popull duhet të jetojë më mirë, sepse Rusia është larg, sepse nuk mund të mbijetojmë vetëm – të rrethuar nga NATO-ja dhe BE-ja – dhe sepse nuk mund të kemi të ardhme më të mirë jashtë integrimeve”.
Duke folur ndërkaq për dobitë ekonomike nga hyrja në BE, Daçiq ka tërhequr vërejtjen se nëse Serbia, mbetet jashtë bllokut, atë do të mund ta tejkalojë edhe Shqipëria.
"Nëse Shqipëria na tejkalon në zhvillimin ekonomik, kjo do të thotë se ne si popull, duhe të kryejmë kolektivisht harakiri ( nga japonishtja vetëvrasje)”, ka thënë kryeministri serb, për të shtuar se nuk ka gjë kundër Shqipërisë, por, siç ka thënë, “ky vend gjithmonë ka qenë sinonim i standardit të dobët jetësor”./Indeksonline/