Daçiq: S’ka zgjidhje tjetër pos dialogut me Prishtinën

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, me rastin e kërkesave të një pjese të serbëve nga veriu i Kosovës që të ndërpriten bisedimet me Prishtinën dhe të anulohen të gjitha marrëveshjet, deklaroi se Kuvendi i Serbisë ka miratuar rezolutën në të cilën thuhet qartë se Serbia do të respektojë marrëveshjet dhe ujditë e arritura deri tash dhe që dialogu duhet të vazhdojë, sepse nuk ekziston mënyrë tjetër për zgjidhjen e problemit.
“Askush nuk dëshiron e as që do të vendosë çfarëdo kufiri, por dëshiron të gjejë zgjidhje mbi bazë të platformës dhe rezolutës së miratuar në Kuvendin e Serbisë, theksoi Daçiq, raporton agjencia serbe e lajmeve FoNet.
Sipas tij, pos dialogut ai nuk sheh mënyrë tjetër për arritjen e këtyre qëllimeve.
Nëse dikush di për ndonjë mënyrë tjetër dhe më efikase, ai do të duhej ta propozojë, përfundoi Daçiq duke komentuar mitingun e mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës, me moton “Stop gënjeshtrave dhe mashtrimeve brukseliane”, që u organizua nga kryetarët jolegjitimë të komunave në veri të Kosovës./Indeksonline/