Daçiq do bisedime pa ndërmjetësues

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se bisedimet direkte midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishin opsioni më i mirë, porse ai “nuk u konvenon disa fuqive të huaja”.
“Nëse Beogradi dhe Prishtina do t’i zgjidhnin të zgjitha mosmarrëveshjet e tyre, roli i këtyre akterëve si ndërmjetësues nuk do të ishte relevant. Ekzistojnë çështje, në të cilat serbët dhe shqiptarët kanë vërtet interesa të përbashkët, por disa ndërmjetësuesve ndërkombëtarë kjo nuk u pëlqen”, ka thënë Daçiq për televizionin “Russia Today”, transmeton Rel.
Ai po ashtu ka shfaqur shpresën se Prishtina “do të pranojë propozimin e Beogradit” për asociacionin e komunave serbe në Kosovë.
“Kjo do të na siguronte zgjidhje të përkohshme, derisa të arrijmë në një vendim përfundimtar për statusin e Kosovës”, ka thënë Daçiq.
Autoritetet serbe duan që asociacioni i komunave serbe, i cili në Beograd njihet si “bashkësi”, të ketë kontrollin në gjyësi, polici dhe planifikim hapësinor, por Prishtina zyrtare kundërshton fuqishëm.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka hedhur poshtë mundësinë që të bisedojë me Daçiqin pa ndërmjetësues./Indeksonline/