Daçiqi në Shkup, reagon BDI-ja

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me vizitën në Shkup të kryeministrit serb Ivica Daçiq. Kjo parti vlerëson se ardhja e kryeministrit serb vetëm pak kohë pas heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë nuk mund të kuptohet assesi si kontribut në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore mes Maqedonisë dhe Serbisë.
“Kultivimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore nga Serbia ka kuptim vetëm atëherë kur ky vend fillimisht të respektojë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë në Serbi, në veçanti të shqiptarëve nga Lugina, dhe kur të pendohet për të gjitha padrejtësitë e bëra ndaj popujve në rajon në 100 vjetët e kaluar. Serbia do të promovojë fqinjësi të mirë vetëm atëherë kur të trajtojë denjësisht komunitetin shqiptar, i cili duhet të paraqesë urë lidhëse dhe miqësie midis Serbisë dhe trojeve shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri”, tha për “Zhurnal”, Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai deklaroi se Serbia duhet të marrë mësim nga Maqedonia për mënyrën se si e ka menaxhuar periudhën e pasluftës.
“Institucionet e Serbisë të mësojnë nga Maqedonia, ku dëshmorët e UÇK-së respektohen institucionalisht, sepse ashtu si UÇK-ja me Marrëveshjen e Ohrit, edhe UÇPMB-ja dhe dëshmorët e saj janë njohur nga Serbia me Marrëveshjen e Konçulit në vitin 2001”, deklaroi Grubi./Indeksonline/