E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daci porosit liderët e Luginës për gjakftohtësi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, akademik Nexhat Daci, ka pritur sot në selinë e partisë, një delegacion nga Lugina e Preshevës, të kryesuar nga kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, Galip Beqiri, e në të cilin ishte edhe Shaip Kamberi, kryetar i PVD për Bujanoc.

Mysafirët nga Lugina e kanë njoftuar kryetarin Daci, me gjendjen momentale në Luginë, e cila paraqitet mjaftë e tensionuar pas ngjarjeve të fundit atje, me çrast policia serbe ka hequr nga qendra e Preshevës lapidarin e UÇPMB-së.

Akademik Daci, i ka përgëzuar përfaqësuesit e Luginës për unitetit e spektrit politik shqiptar atje dhe për maturinë e demonstruar pas ngjarjeve të fundit atje. Po ashtu ai i ka këshilluar ata që mos të ndërmarrin hapa të ngutshëm, por ta shfrytëzojnë pozitivisht interesimin e shtuar të faktorit ndërkombëtar për gjendjen e shqiptarëve të Luginës.

“Ishte kënaqësi e veçantë që ishim sot në selinë e LDD-së. Qëllimi i kësaj vizite ishte që akademikun tonë të nderuar ta njoftojmë me situatën e krijuar në Luginën e Preshevës tash pas heqjes në mënyrë vandale të përmendores. E njoftuam për hapat konkret që do t’i marrim tani subjekti politik dhe Grupi i Unitetit në Luginë të Preshevës. E njoftuam për prezencën e forcave të mëdha të policisë dhe xhandarmërisë serbe të cilat bëjnë lëvizje të njëpasnjëshme në të gjitha vendbanimet shqiptare, e njoftuam për gjendjen psikologjike të popullatës, është mjaft e kërcënuar por, për fat të mirë nuk ka kaluar në dhunë dhe po mundohemi që këtë situatë ta tejkalojmë pa incidente”, ka thënë Beqiri.

Shaip Kamberi ka theksuar se “Ajo që është pozitive është reagimi i Prishtinës dhe i Tiranës zyrtare dhe mbështetja që po i ipet kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Natyrisht ne jemi që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tepër dhe të jetë edhe më produktiv, sidomos në aspektin e kërkesës së subjekteve shqiptare për reciprocitet me të drejtat e serbëve të Kosovës sepse konsiderojmë se kjo është forma e vetme e stabilizimit të situatës në Luginë”.

Në pyetjen se si i vlerëson reagimet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, kryetari Daci ka thënë: ”Një diskrepancë nënçmuese për shqiptarët është reagimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe mostregimi i respektit të duhur për atë çka ngjan me shqiptarët në Luginë. Është e turpshme në selinë e OKB-së të dëgjohen “Marshe” anti popujve tjerë dhe proserbë dhe reagimet në përgjithësi të faktorit ndërkombëtar janë shumë të buta dhe të paqarta për mbrojtjen e ndjenjave kombëtare të një komuniteti që është në Kosovën Lindore në krahasim që numerikisht është i njejt me serbët në Kosovë”. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›