Inkasojnë milionat, s’kanë arka fiskale

Fatos Shala
Qarkullimi vjetor i tyre është milionësh. Nga shërbimet e tyre varet çdo qytetarë i Kosovës. Por, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) , Ujësjellësi rajonal “Prishtina” dhe ndërmarrja komunale “Pastrimi”, nuk respektojnë ligjet e Kosovës. Edhe pse të tria këto kompani bëjnë pagesat e faturave me para kesh, as njëra prej tyre deri tani nuk ka instaluara arkat fiskale. E, instalimi i arkave fiskale nëpër biznese e kompani publike ka filluar tani e disa vite.
Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) thonë se sipas ligjit edhe këto duhet të kenë arka, por me kërkesë të tyre, është vazhduar pagesa klasike e faturave.
Njëra ndër kompanitë më të mëdha publike, Korporata Energjetike Kosovës (KEK), bën pagesën e faturave të energjisë me para kesh por e cila nuk është e pajisur me arka fiskale.
Zyrtarë të kësaj kompanie thonë se nuk ka mundësi për posedimin e arkave fiskale, për arsye se koha e faturimit te energjisë nuk lidhet me pagesat e energjisë. Ata kanë treguar se ka raste kur paguhet edhe me pak se fatura.
“Konform rregullave te aprovuara nga ZRRE, koha e faturimit të energjisë nuk lidhet me pagesat e energjisë, si dhe ekziston mundësia e pagesës me pak se fatura aktuale. Për ketë arsye KEK-u nuk ka mundësi te vendosjes se arkave fiskale. Përndryshe, KEK-u ka softuer te posaçme për ketë qellim ,dhe te gjitha transaksionet e pagesave shkojnë përmes bankave. Përndryshe, dita ditës është duke u rrit përqindja e transakcioeneve qe realizohet përmes formave bankare te pagesës”, ka thënë për Indeksonline Viktor Buzhala zëdhënës në KEK.
Ai tutje ka thënë se KEK deklaron dhe paguan me rregull te gjitha tatimet në ATK.
“Duke pas parasysh ketë gjendje, KEK ne baza te rregullta përcjell ne ATK shënimet rreth transaksioneve relevante, e qe ne një forme konsiderohet si përmbushje e qëllimit kryesor te vendosjes se arkave fiskale. Konform kësaj, KEK deklaron dhe paguan me rregull te gjitha tatimet ne ATK”.
Kurse, Arbrie Zogjani-Hiseni zëdhënëse në Ujësjellësin “Prishtina” ka thënë se SHUKOS-i në bashkëpunim me Ujësjellësit Regjional kane komunikuar intensivisht me ATK-ne dhe janë sqaruar se nuk është e nevojshme qe Kompanitë e Ujësjellësi të pajisen me arka.
“ KUR-Prishtina për çdo muaj faturon 3 kategori te konsumatoreve, të ekonomisë familjare,bizneseve dhe institucioneve ku këto fatura me TVSH te kalkuluar iu dërgohen konsumatoreve tanë dhe kjo nënkupton se TVSH-ja është kalkuluar një herë dhe nuk ka mundësi qe e njëjta gjë të përsëritet me arke fiskale. SHUKOS-i ne bashkëpunim me Ujësjellësit Regjional kane komunikuar intensivisht me ATK-ne dhe janë sqaruar se nuk është e nevojshme qe Kompanitë e Ujësjellësi te pajisen me arka fiskale”, ka thënë Zogiani-Hiseni.
Edhe përfaqësues të kompanisë se mbeturinave “Pastrimi” thonë se arkat fiskale nuk praktikohen të përdoren gjatë veprimtarisë së përditshme, kjo është edhe arsyeja pse kompania nuk ka vendosur arka fiskale. Ata kanë mohuar edhe faktin se kjo mos vendosja e arkave është shkelje ligjore.
“Kompania mbikëqyret nga Komuna, përmes Komisionit të Aksionarëve. Duke pasur parasysh statusin juridik të Kompanisë, arkat fiskale nuk praktikohen të përdoren gjatë veprimtarisë së përditshme, kjo është edhe arsyeja pse Kompania nuk ka vendosur arka fiskale. Jo nuk është shkelje ligjore, pasi ATK-ja kontrollon punën e Kompanisë ne aspektin financiar”, ka thënë për Indeksonline Arbënore Ademi zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”
Ajo tutje ka treguar se kompania “Pastrimi”, tatimet i deklaron rregullisht ne Administratën Tatimore të Kosovës, dhe sipas saj edhe nëse kërkohet nga ATK-ja, Kompania do të bej edhe vendosjen e arkave.
E, Valentina Bytyqi - Sefa zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK ka treguar se Administrata Tatimore e Kosovës me kërkesën e këtyre kompanive, ka këshilluar që kompanitë në fjalë, të vazhdojnë formën e faturimit deri në përcaktimin e zgjidhjes alternative të fiskalizimit. Mirëpo, ajo tregon se ligji parasheh qe edhe keto kompani tw kenë arka fiskale.
“ Administrata Tatimore e Kosovës me kërkesën e këtyre kompanive, ka këshilluar që kompanitë në fjalë, të vazhdojnë formën e faturimit deri në përcaktimin e zgjidhjes alternative të fiskalizimit. Por, Paragrafi 1.1 i Nenit 21, të Udhëzimit Administrativ 15/2010, sipas saj thotë: “Të gjithë personat që kryejnë furnizime me mall ose ofrojnë shërbime në objektet, njësitë apo vendet me qasje për publikun, në tregtinë me shumicë apo pakicë, kur nuk duhet të lëshohet fature në përputhje me legjislacioni e zbatueshëm, të paguara me transfere bankare, detyrohen të pendorin: PEF, FCR apo FPRN dhe pajisje tjera të detyrueshme, sipas këtij Udhëzimi Administrativ”, ka thënë Bytyqi- Sefa duke treguar se deri më tani janë fiskalizuar 16, 967 tatimpagues, me 21, 667 pajisje elektronike fiskale të instaluara./Indeksonline/