E Diel, 1 Nëntor 2026

Musliu: Memoriali në Bujanoc provokon situatën në Luginë

Largimi i pllakës përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, në mënyrë arbitrare nga xhandarmëria serbe, në prag të arritjes së një kompromisi përmes procesit negociues me ndërmjetësim të OSBE-së, rezultoi me protestën gjithëpopullore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Një ndër kërkesat e parashtruara në protestë ishte heqja e memorialit të ndërtuar për forcave speciale serbe të rënë në luftë ndaj shqiptarëve, në vendbanimet etnike shqiptare të komunës së Bujnaocit.

Përderisa për qeveritarët serb heqja e lapidarit të UÇPMB-së ishte çështje e brendshme e Serbisë, për shqiptarët e Luginës, memoriali serb vazhdon të mbetet element që provokon jo vetëm ndjenjat kombëtare, por edhe qetësinë në këtë zonë, raporton RTK. 

I pari i komunës në Bujanoc, Nagip Arifi, ka thënë se konkluzionet e miratuar në seancën e fundit të jashtëzakonshme, ku u kërkua zhvendosja e këtij memoriali, tashmë i’u janë adresuar autoriteteve qeveritare serbe, por sipas tij ende nuk ka ndonjë veprim konkrete.

Ish kryetari i Këshillit Politik të UÇPMB-së, Jonuz Musliu, konsideron se ky memorial është qëllimisht i vendosur në këtë rajon për të provokuar situatën, ndërkohë që nuk respektohen të drejtat elementare të shqiptarëve.

Heqja e pllakës përkujtimor e të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, për shqiptarët e Luginës, ka qenë akt i dhimbshëm dhe tendencioz, ndërsa memoriali serb e veçanërisht angazhimi i togjeve të xhandarmërisë serbe për ruajtjen e tij, tregon synimin e Serbisë për militarizim të vazhdueshëm të kësaj zone. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›