Daçiç: Ne s`e njohim Kosovën as me mbikëqyrje, as pa të

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar sot se Serbia nuk pranon asnjë pavarësi, as atë të mbikëqyrur, e as atë pa mbikëqyrje.
"Për ne çështja e Kosovës nuk është zgjidhur derisa me të nuk bie dakort Serbia. Po të mos ishte kështu, nuk do të na bënin aq shumë trysni ta njohim Kosovën”, u ka thënë Daçiç gazetarëve në Beograd.
Ai gjithashtu ka thënë se rrëfimet për njohjen e pavarësisë së Kosovës për të arritur anëtarësimin e Serbisë në BE janë “budallallëk” dhe se kusht i vetëm është përmirësimi i raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Si mund të jetë kusht pranimi i pavarësisë së Kosovës kur ekzistojnë edhe vende brenda BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Një përmirësim sa më i gjerë i raporteve dhe zgjidhja e problemeve që pamundësojnë jetën normale të qytetarëve në Kosovë, është kusht”, ka thënë Daçiç.