Daçiç: S`kam kërkuar kthimin e forcave serbe në Kosovë

I mandatuari për formimin e qeverisë së re në Serbi, kryesocialisti Ivica Daçiç, ka deklaruar se qeveria e ardhshme do t`i vazhdojë bisedimet për çështjen e Kosovës, dhe do të insistojë në detyrimin e forcave ndërkombëtare që të sigurojnë paqe e siguri por nuk do të kërkojë kthimin e forcave serbe të sigurisë.
Këto deklarata të Daçiçit vijnë një ditë pas reagimeve të ashpra të zyrtarëve të Kosovës ndaj prononcimeve të tij se do të kërkojë që në Kosovë të kthehen forcat e sigurimit serb në bazë të Rezolutës 1244.
“Në Vidovadan, kur u shkaktua incidenti, kam thënë shumë qartë se konsideroj se për paqen dhe sigurinë në Kosovë përgjegjëse dhe të ngarkuara janë forcat ndërkombëtare, KFOR-i, EULEX-i që bashkë me Policinë e Kosovës kanë për detyrë të evitohen incidentet dhe të sigurohet paqja e siguria për të gjithë qytetarët, e me këtë edhe për serbët në Kosovë”, ka deklaruar Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Ai ka rikujtuar se Serbia nuk i ka forcat e saj në Kosovë dhe në qeverinë e re do të insistojë në detyrimet e forcave ndërkombëtare, e jo në kthimin e forcave serbe të sigurimit.
“Nuk jam njeri që gënjen. Për marrjen e vendimit të tillë është di domosdoshëm pëlqimi i KS në bazë të Rezolutës 1244 për të cilën për momentin mendoj se absolutisht nuk është reale”, ka theksuar Daçiç.
Sipas tij, është e qartë se qeveria e re, nëse do të votohet në parlament, do t`i vazhdojë bisedimet lidhur me Kosovën dhe nuk ekziston anjë hamendim se ato bisedime do të vazhdojnë dhe do të zbatohet e gjithë ajo që e ka përqafuar qeveria e deritashme në marrëveshje me Brukselin.
“Vërtetë do t`ju lutja të gjithë që mos t`i interpretojnë me qëllim të keq deklaratat që kanë pas për qëllim të kundërtën, e kjo është se prioriteti i qeverisë do të jetë paqja, siguria dhe stabiliteti në Ballkan përfshirë edhe Kosovën”, ka deklaruar Daçiç.