E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç fyen shqiptarët në Maqedoni: UÇK dhe UÇPMB si Al Kaeda, IRA dhe ETA

28-01-2013 / Gazeta 55

Ivica Daçiç pranon në Shkup se është i kapur nga fryma shoviniste e Millosheviçit kundër shqiptarëve. Përkrah homologut të tij maqedonas, Nikolla Gruevski kryeministri serb, Daçiç guxoi deri aty sa të krahasojë luftën për liri të UÇK-së dhe UÇPMB-së me grupet terroriste si Al Kaeda, IRA dhe ETA. Deklarata e Daçiç u bë nga Maqedonia, pak ditë pas vandalizmit të Beogradit në Luginën e Preshevës, ku hoqën dhunshëm përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvdegjës dhe Bujanocit

Kryeministri serb Ivica Daçiç ka shfrytëzuar vizitën e vet në Maqedoni për të shprehur ofendime të rënda ndaj shqiptarëve. Ai në Shkup është pritur me nderimet më të larta shtetërore, kurse pas takimit me homologun e tij Maqedonas Nikolla Gruevski, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe UÇPMB-në e ka krahasuar me Al Kaedën dhe me grupet terroriste në Spanjë e Angli. “Nëse mendoni për lapidarin që është hequr, unë mund të them se Serbia nuk është banane shtet. Serbia ka ligjet e veta. Më thoni ju lutem a ekziston përmendore e Al Kaedës në Nju Jork, apo e grupeve terroriste në Spanjë dhe Londër. Në Preshevë dhe rrethinë ekzistojnë 22 përmendore të UÇPMB-së dhe UÇK-së. Ne kemi heshtur dhe i kemi toleruar derisa nuk u vendos lapidari para godinës komunale. Kjo është e pamundur, kjo ishte provokim. Pse ata nuk iu drejtuan institucioneve për të kërkuar leje për ngritjen e atij lapidari”- deklaroi ai.
Ndërkaq, Daçiç dhe Gruevski kanë përmendur dy probleme që tangojnë raportet serbo – maqedonase – Njohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë dhe problemin kishtar.
Kryeministri serb tha se e ka lutur Gruevskin që Maqedonia të qëndrojë e përmbajtur në raportet me Kosovën gjatë kësaj periudhe kur po zhvillohet dialogu serbo kosovar. Mirëpo as ai e as Gruevski nuk kanë bërë të ditur se për çfarë përmbajtje bëhet fjalë. Megjithatë ata kanë vlerësuar se këto dy probleme nuk janë pengesë për zhvillim të raporteve, madje janë marrë vesh për mbledhje të përbashkët të dy qeverive në Beograd.
Nëse na lejojnë kushtet, në maj do të mbahet mbledhje e përbashkët e dy qeverive në Beograd. Kuptohet në këtë mbledhje nuk do të marrin pjesë të gjithë ministrat, por ata që mbulojnë resorët ku do të vlerësohet se nevojitet avancim i bashkëpunimit. Këto mbledhje do të bëhen tradicionale, vitin e ardhshëm do të mbahen në Shkup, pastaj sërish në Beograd, e kështu me radhë
Daçiq është përgjigjur edhe ndaj reagimit të Bashkimit Demokratik për Integrim se tani nuk ka qenë koha e përshtatshme për ardhjen e tij në Shkup. “Nëse unë mund të takohem me Hashim Thaçin në Bruksel, nuk e di pse kjo parti vlerëson se unë nuk duhet të takohem me mikun tim, Nikolla Gruevski”, është përgjigjur Daçiq. I pyetur të komentojë kërkesat që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejta të barabarta me serbët në Veriun e Kosovës, Daçiq tha se kjo është pyetje që duhet të ju parashtrohet liderëve kosovarë dhe shtoi se ata nuk guxojnë nga Perëndimi ta përmendin këtë çështje.
Në konferencën e përbashkët për shtyp të Gruevskit dhe Daciqit gazetarët shqiptarë janë penguar të parashtrojnë pyetje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›