Daçiq: Kosova multietnike, “përrallë që duhet harruar”
Zëvendës kryeministri serb dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se “përrallën për një Kosovë multietnike duhet ta harrojmë”, sepse ajo është “pjesë e projektit të krijimit të Shqipërisë së Madhe”.
Në një intervistë për gazetën javore “Press” të Beogradit, Daçiq ka folur për disa nga propozimet dhe tezat që ai i paraqiti kohët e fundit mbi Kosovën, që është e pavarur, dhe se ajo duhet ndarë, e “të jetë e kufizuar me Shqipërinë”.
“Në Kosovë nuk vendosin as serbët e as shqiptarët, por fuqitë e mëdha”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se “përrallën për shoqërinë multietnike duhet harruar, pasi për të gjithë ne është e qartë se kjo është pjesë e projektit të Shqipërisë së madhe”.
“Ndoshta jo menjëherë, mirëpo Kosova nuk është as Monako e as San Marino, një shtet i vogël e parajsë turistike, që do të mund të mbijetonte e vetme. Për këtë arsye duhet biseduar me Shqipërinë. Në këtë formë ne i ikim procesit të njohjes së Kosovës”, është shprehur ai, duke shtuar se këto janë “pikëpamjet e tij personale politike”.