Optimist për arabët
Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit të Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan, i cili ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë.
Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli ka theksuar se deklaratat e diplomatit palestinez janë të pabaza dhe tendencioze, që nuk përfaqësojnë politikën arabe, por as të Palestinës.
“Ai (Mohamed Nabhan) flet vetëm në emrin e vet dhe ai është një prej njerëzve të influencuar prej fqinjit tonë veriorë. Ai flet në emrin e vet dhe nuk mundet kurrsesi me përfaqësu botën arabe”, ka thënë Pacolli për Express, të dielën.
Diplomati palestinez në Beograd ka tërhequr paralele ndërmjet Kosovës, Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor.
“Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, derisa Gaza dhe Bregu Perëndimor asnjëherë nuk kanë qenë në kuadër të Izraelit. Këto janë territore të okupuara, derisa Serbia asnjëherë nuk e ka okupuar Kosovën. Paralelja do të ishte e arsyeshme sikur Serbia ta kishte okupuar Kosovën ndonjëherë”, ka thënë ambasadori Nabahn për mediat serbe. Pacolli është përgjigjur edhe për këtë deklaratë të Nabahnit.
“Unë lirisht do t’i thosha se ai nuk është i njoftuar për realitetin që ka ndodhur në Kosovë dhe deklarata e tij është shumë tendencioze dhe e paqëndrueshme”, ka thënë Pacolli.
Palestinezi kishte komentuar edhe mungesën e njohjes së Kosovës nga Izraeli, duke thënë se ky vend nuk ka kurrfarë ndikimi sa i përket Kosovës.
Për më tepër, Nabahn ka thënë se falë vendeve islamike, Kosova nuk po mund ta marrë statusin e shtetit.
“Kosova nuk e ka marrë statusin e shtetësisë duke iu falënderuar vendeve arabe dhe myslimane e jo duke iu falënderuar Izraelit. Arabët dhe myslimanët janë duke e përkrahur qëndrimin e Serbisë dhe ende janë duke e bërë këtë”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri Pacolli, i cili është i ngarkuar për çështjen e njohjeve, thotë se konstatimet e palestinezit nuk qëndrojnë pasi vendet kryesore islamike e kanë njohur Kosovën.
“Ne kemi pasur njohje prej vendeve islamike. Vendet kryesore e kanë njohur Kosovën, duke u nisur prej Turqisë, Arabisë Saudite, qendra e Organizatës së vendeve arabe. Jordania e ka njohur Kosovën. Vendet e avancuara demokratike e kanë njohur Kosovën dhe tani me ndryshimet në spektrin politikë në vendet arabe, Kosova sigurisht do të arrijë të ketë miq të tjerë si Egjiptin, Libinë, Tunizinë etj. Situata është shumë më e favorshme për Kosovën”, ka thënë Pacolli.
“Puna nuk do të mungojë që Kosova të pranohet edhe nga këto shtete”, ka premtuar Pacolli.
Një ambasador tjetër i Palestinës, Ibrahim Khraishi po ashtu ka reaguar ndaj deklaratave të bashkëvendësit, duke i quajtur ato personale.
“Deklarimet e tilla në mediet serbe nuk duket të jenë serioze dhe mund të them se ato janë private, personale të tij, sepse dihen qartë qëndrimet e shtetit të Palestinës ndaj Kosovës”, ka thënë ambasador i Palestinës pranë misionit të OKB’së në Zvicër, Ibrahim Khraishi për portalin “Presheva Jonë”
“Unë e njoh situatën mirë në Kosovë dhe Serbi, bile në këtë të fundit kam jetuar disa vite para më shumë se një decenie si përfaqësues i organizatave palestineze në Beograd”, ka shtuar ai.
Sipas tij, si në Serbi edhe në Kosovë gjërat kanë ndryshuar në kahe pozitive.
“Të dy vendet, si ish-rajone të Jugosllavisë, janë dy shtete në vete dhe më vjen mirë kur dëgjoj se mes tyre ka nisur dialogu, të cilin edhe ne e preferojmë më shumë sesa problemet të zgjidhen me kallashnikov”, ka deklaruar ambasadori Khraishi.
Diplomati palestinez i akredituar në Gjenevë jep shenja se Palestina shpejt mund ta njohë Kosovën.
“Njohja e saj nga shteti ynë është vetëm çështje kohe dhe më shumë çështje diplomatike sesa politike. Ne kemi bashkëpunim të mirë me autoritetet e Kosovës, kemi pasur takime me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Rasti i Palestinës dallon shumë pak nga ai i Kosovës”, ka premtuar Ibrahim Khraishi.
Ai ka thënë se dallimi ndërmjet Kosovës dhe Palestinës është përkrahja që gëzon Prishtina nga Washingtoni.
“Dallimi i vetëm mes Palestinës dhe Kosovës ekziston vetëm aty se ju keni përkrahje më të madhe nga SHBA’ja, të cilën edhe ne jemi duke e kërkuar”, ka kujtuar diplomati palestinez.