E Martë, 3 Nëntor 2026

Daçiq për SHBA: Serbia nuk mund ta dëgjojë për njohjen e Kosovës

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq (Ivica Dacic) ka shfrytëzuar festën e Ditës së Amerikës në parlamentin serb, ngjarje e organizuar nga Kongresi për miqësi serbo-amerikane, për të thënë se Serbia nuk mund të dëgjojë SHBA-në për njohjen e Kosovës.

Teksa ka pranuar se është një avokat i raporteve më të mira të mundshme me Shtetet e Bashkuara, Daçiq tha se kushdo që tenton t’i bëjë presion Beogradit që të njohë Kosovën, nuk do të ketë sukses.

“Një qasje e tillë për çështjen e zgjidhjes së situatës në Kosovës nuk do të ketë kurrë sukses. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit dhe vazhdojmë të jemi partner konstruktiv në dialog,” tha ai.

Më tej kryediplomati serb foli për raportet që kanë shtetet perëndimore dhe SHBA me vendin e tij.

“Kur ka qenë hera e fundit kur një president amerikan ka vizituar Serbinë? Shumë nga ne as që ishim në jetë. Kryeministrja e fundit e Britanisë që na vizitoi ishte Margaret Thatcher. Ata kanë vizituar të gjitha shtetet e tjera, a mendoni se ata nuk e vizitojnë Serbinë veç pse nuk është e fortë? Jo, si mundet që ne të kemi një raportet partneriteti me shtetet që nuk janë në interesin tonë,” tha ai.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por dy shtetet që nga viti 2011 zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve. Ky proces ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Gazetare: Heriselda Dyrmishi

/RTSH/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›