E Martë, 3 Nëntor 2026

Vërshimet në rajon, rritet numri i viktimave ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë

Numri i viktimave nga stuhitë e fuqishme të shiut që kanë goditur Greqinë, Turqinë dhe Bullgarinë është rritur në 14, pasi ekipet e shpëtimit në këto tri shtete gjetën të enjten edhe shtatë trupa të tjerë të pajetë.

Si pasojë e vërshimeve në një kamping në veriperëndim të Turqisë, afër kufirit me Bullgarinë, kanë humbur jetën të paktën pesë persona – tre prej tyre u gjetën së fundmi, ndërsa ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar edhe një person tjetër që raportohet se është zhdukur.

Dy persona kanë hubur jetën në Stamboll, pasi qindra shtëpi dhe zyra u përmbytën edhe në qytetin më të madh turk. Ndërsa në Greqi, si pasojë e vërshimeve në qytetet Volos dhe Karditsa kanë humbur jetën tre persona. Banorët kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Trafiku është ndaluar, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se stuhitë parashikohet do të vazhdojnë deri në orët e mbrëmjes. Ndërkohë, edhe në Bullgari u gjetën trupat e dy viktimave që ishin zhdukur që prej së martës.

Në qytetin Tsarevo autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian Katarina Barley ka bërë thirrje për ndihmë të BE-së për vendet në Evropën Juglindore të prekura rëndë nga stuhitë vdekjeprurëse të fundit.

”Ashtu si me fatkeqësitë e mëparshme natyrore në vendet e tjera anëtare, Fondi i Solidaritetit të BE-së duhet të përdoret për rindërtim,” është shprehur ajo.

Gazetar A. Mata

/RTSH/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›