E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shtyn mbledhjen e qeverisë: Jam me grip

Virozat e stinës dhe axhenda e ngjeshur paraelektorale duket se kanë shkaktuar zmbrapsjen e Kryeministrit Sali Berisha. Burime të rezervuara pranë shefit të qeverisë sqaruan për "Shqip" se gripi ka qenë arsyeja e vetme që ka shtyrë mbledhjen e djeshme të qeverisë nga Kryeministri. Shkaku i anulimit të mbledhjes është mbajtur shumë sekret nga selia e Kryeministrisë, e cila është treguar e rezervuar për të dhënë detaje të mëtejshme.

Anulimi

Rreth orës 14.00 të mesditës, kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, është rikthyer sërish në zyrën e tij, pasi ka qëndruar për disa orë jashtë saj. Pavarësisht këtyre shqetësimeve dhe rekomandimeve të mjekëve për një ulje të intensitetit të punës dhe një kufizim të lëvizjeve, Berisha ka vijuar normalisht procesin e punës në zyrën e tij. Me gjithë shqetësimet, Kryeministri ka qëndruar në zyrën e tij, edhe pse ka pezulluar takimet zyrtare dhe ka anuluar mbledhjen e qeverisë. Vetëm 50 minuta përpara orës që ishte caktuar për fillimin e mbledhjes së qeverisë janë njoftuar anëtarët e kabinetit për anulimin e mbledhjes, e cila do të bëhet sot në mesditë, në orën 12.00. Burime të rezervuara bëjnë të ditur se kreu i qeverisë ka pasur shqetësime, si pasojë e lodhjes dhe sforcimit, të cilat janë vërejtur disi shpesh kohët e fundit për shkak të axhendës së ngjeshur të tij. Një pjesë e ministrave të kabinetit e kanë argumentuar shkakun e anulimit të mbledhjes si një "grip paraelektoral".

Precedentët

Nuk kanë qenë të pakta problemet shëndetësore të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që prej kohës kur është ulur në karrigen e kreut të qeverisë. Shqetësimi më serioz shëndetësor u shënua në fillim të muajit shkurt të vitit 2007, kur Kryeministri Berisha u shoqëruar nga stafi dhe badigardët e tij në urgjencën e spitalit për një shqetësim kardiak. Probleme shëndetësore me tensionin dhe zemrën, kreu i qeverisë i ka ndjerë edhe gjatë zhvillimit të negociatave në korrik të vitit 2007, në Kryesinë e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit, pas përfundimit të mandatit të Alfred Moisiut. Në axhendën e djeshme të Kryeministrisë, shefi i qeverisë dhe stafi i tij kishin përcaktuar miratimin e 33 vendimeve. Tre prej tyre ishin projektligje, 29 projektvendime dhe një çështje e mbartur nga mbledhjet e mëparshme. Disa nga vendimet më të rëndësishme që ishin përcaktuar në axhendën e Kryeministrit janë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8530, datë 23 shtator 1999 "Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë". Me propozim të Ministrisë së Arsimit është kërkuar ngritja e Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve, e cila do të ketë nën kontroll të gjitha universitet që operojnë në vendin tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›