Sherr me thika, arrestohet nxënësi
Sërish nxënësit e shkollave janë përfshirë në sherre të armatosura jashtë ambienteve të shkollës. Policia njoftoi arrestimin e B.Memës, nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme "Olsi Lasku" në Durrës. Mema, lindur në Skrapar dhe banues në lagjen nr.8 të qytetit bregdetar, u arrestua pas plagosjes me armë të ftohtë të një të riu. Gjatë një sherri banal me 20-vjeçarin Ermal Gjoka, Mema e ka goditur disa herë me thikë, duke e dëmtuar rëndë në organet e brendshme. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.8 të qytetit, ku banojnë dy të rinjtë. Burime nga spitali rajonal i Durrësit bënë të ditur se 20-vjeçari e ka kaluar rrezikun për jetën, megjithëse plagët e kanë dëmtuar rëndë.