E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Berisha duhet të dëgjojë Brukselin

Partia Socialiste i bëri thirrje dje mazhorancës që të ndjekë këshillat e Brukselit për të gjetur zgjidhjen e krizës politike në vend. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në selinë rozë, Arta Dade, përshëndeti deklarimet e komisionit për zgjerimin, Olli Rehn, i cili, sipas saj, dha mesazhe të qarta për zgjidhjen e krizës. "Partia Socialiste e Shqipërisë ndoqi me vëmendje deklarimet e Brukselit përmes komisionerit për zgjerimin, Olli Rehn, i cili dha mesazhe të qarta dhe të prera për qeverinë shqiptare lidhur me zgjidhjen e krizës politike paszgjedhore në Shqipëri", tha Dade. Ajo insistoi se Partia Socialiste është e bindur ashtu sikurse dhe komisioneri Olli Rehn, se vetëm një hetim i plotë i procesit të numërimit të votave do të kthente normalitetin e jetës politike në vend. Dade vuri në dukje se Sali Berisha duhet të lejojë hetimin e plotë përmes rinumërimit të kutive të kontestuara nga opozita dhe hetimit të materialeve zgjedhore. "Do të jetë në të mirë të vendit dhe të proceseve integruese të Shqipërisë që kjo të bëhet sa më shpejt. Sali Berisha duhet të heqë dorë nga propaganda bajate e denjë për një shoqëri diktatoriale dhe të përmbushë kërkesat e opozitës dhe sugjerimet e Brukselit", tha ajo. Ndër të tjera, Dade vuri në dukje se PS-ja përshëndet shprehjen e vullnetit politik të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën si dy vende të fundit në proces dhe ashtu si komisioneri europian për zgjerimin, Olli Rehn, i kujton qeverisë se standardet e pranuara dhe të njohura për këtë proces janë detyruese për çdo qeveri. Në vlerësimin e PS-së, Shqipëria ka mbetur në fund jo për shkak të vullnetit politik të Parlamentit Europian dhe as të Komisionit Europian, por për shkak të papërgjegjshmërisë së Sali Berishës. "Dëshiroj të përshëndes vullnetin politik të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, por duke u bashkuar me komisionerin Oli Rehn, i cili i kujton qeverisë shqiptare se liberalizimi i vizave ka të bëjë me përmbushjen e detyrimeve dhe standardeve", u shpreh Dade. Shqipëria pa plotësuar këto detyrime dhe standarde, vijoi ajo, nuk ka se si të përfitojë. "Deri tani procesi është tejet i vonuar, si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë ekskluzive të qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha", tha Dade. Drejtuesja socialiste nënvizoi se pa një hetim të plotë të procesit të rinumërimit të votave, nuk ka kthim të jetës normale të jetës në Shqipëri dhe për rrjedhojë as kthim të opozitës në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›