E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Marrëveshja Greqi-Shqipëri cenon integritetin e territorit

Ish-presidenti Alfred Moisiu pozicionohet në krahun e forcave politike dhe shoqatave që kundërshtojnë marrëveshjen e kufijve detarë Shqipëri-Greqi. Ai tregohet kritik për këtë marrëveshje duke vlerësuar reagimin e ekspertëve që janë shprehur kundër ratifikimit të saj. Në konferencën për integritetin, ish-kreu i shtetit e cilësoi dje marrëveshjen si një cenim të integritetit të territorit shqiptar. Ai ripërsëriti qëndrimin kundër 150 koordinatave të reja, duke vënë theksin te mungesa e kompetencës së negociatorëve. Sipas Moisiut, duhet penguar ratifikimi i saj dhe duhet parë me kujdes nga ekspertët dhe nuk duhet lejuar në asnjë rast cenimi i territoreve të vendit. "Nuk është e vështirë të kuptohet që në këtë mes ke të bësh me një veprim që duket qartë se është trajtuar në mënyrë jokompetente nga ata që ishin ngarkuar për të menaxhuar hartimin e saj. Fakti që shtrihet për diskutim dhe miratim i marrëveshjes në Kuvend u shty për më tej tregon se forca e opinionit publik jep rezultate pozitive", tha ish-presidenti Moisiu. Marrëveshja me shtetin grek për kufirin e ri detar u ankimua pak ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Socialiste, ndërkohë që Kuvendi nuk e ka përfshirë në kalendarin 3 javor të punimeve. Një ditë më parë, Lëvizja G99 zgjodhi formën e protestës jashtë godinës së Kuvendit për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes. Sipas Moisiut, me anë të kësaj marrëveshje, cenohet integriteti i Shqipërisë dhe territorit të saj. Ai theksoi se mospërfshirja e kësaj marrëveshjeje në axhendën e Kuvendit deri më datë 12 nëntor ishte një meritë dhe forcë e opinionit publik. Por, ish-numri një i shtetit nuk ka ngurruar për të sulmuar edhe rolin e politikën për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Nga ana tjetër, një tjetër ish-president, Rexhep Meidani, ka kritikuar funksionimin e një sërë institucionesh. Sipas Meidanit, nuk po funksionon si duhet Inspektorati i Deklarimit të Pasurive. Por, ish-kreu i shtetit, Rexhep Meidani, shkoi edhe më tej duke thënë se "Parlamenti nuk manifeston integritetin. Kemi një problem për integritetin politik dhe moral në Parlament". Dy figurat kryesore të cilat kanë udhëhequr shtetin shqiptar për 10 vite me radhë dhe sot janë kthyer në vëzhgues të politikës kanë kritikuar veçanërisht rolin e klasës politike në funksionimin e institucioneve shtetërore.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›