E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Kriza nuk zgjidhet pa hapur kutitë

Sipas saj, mazhoranca ka vendosur të shpërfillë krejtësisht vullnetin pozitiv të Partisë Socialiste,


"Kryeministri i Ruzhdies gabon rëndë nëse mendon se kjo krizë do të zgjidhet vetiu".


TIRANË- Kriza politike në vend nuk do të zgjidhet në rast se mazhoranca nuk vendos hapjen e kutive të votimit. Deputetja e PS-së, Arta Dade, ka deklaruar dje se, opozita nuk heq dorë nga kauza e saj, pasi, aty, sipas saj, varet edhe fati i demokracisë në vend.


"Fatkeqësisht, duket se mazhoranca ka vendosur të shpërfillë krejtësisht vullnetin pozitiv të Partisë Socialiste, por edhe thirrjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj krize që po rëndohet më tej çdo ditë që kalon.


Por, Kryeministri i Ruzhdies gabon rëndë nëse mendon se kjo krizë do të zgjidhet vetiu. Kriza politike është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe kjo krizë nuk mund e nuk do të zgjidhet nëse nuk plotësohet kërkesa e Partisë Socialiste për një hetim të plotë e të hollësishëm të zgjedhjeve të 28 qershorit.


Partia Socialiste e ka ofruar tashmë kompromisin e saj dhe vullnetin e saj konstruktiv, së pari duke njohur rezultatin e dalë nga skema e Ruzhdies, dhe së dyti, duke dorëzuar në Parlament nismën ligjore për zgjidhjen përfundimtare të kësaj krize politike përmes transparencës së zgjedhjeve", - tha dje Dade.


Duke iu referuar përfundimeve të nxjerra nga organi i akuzës lidhur me zgjedhjet në komunën Ruzhdie, deputetja e PS-së shtoi se hetimet për këtë komunë, ku rezultoi se ka pasur manipulime,


e përforcojnë më shumë qëndrimin e opozitës."Sali Berisha duhet ta kuptojë se Partia Socialiste nuk do të heq dorë nga kjo kauzë sepse prej saj varet fati i demokracisë në Shqipëri. Sali Berisha duhet ta kuptojë se Partia Socialiste nuk mund të heq dorë nga kjo kauzë sepse në këtë rast skema e Ruzhdies do të kthehej në mallkimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend.


Nga ana tjetër ne e kuptojmë shumë mirë frikën e Sali Berishës nga hapja e kutive, por kjo frikë nuk mund të shërbejë si një argument që Partia Socialiste të heq dorë nga kauza e saj. Sfida për Sali Berishën është e hapur. Nëse ai trembet nga transparenca, kjo është humbja e tij e madhe", - tha Dade. Deputetja e PS-së përshëndeti edhe deklaratën e Ambasadorit Spanjoll Manuel Montobio, sipas të cilit, duhet të ketë një marrëveshje konkrete mbi propozimet e PS-së.


"Ne jemi plotësisht dakord me thirrjen e zotit Montobio për klasën politike shqiptare, se është ky akt konstruktiv i ndërmarrë nga Partia Socialiste që hap një dritare shprese për arritjen e një marrëveshjeje dhe se zgjidha e krizës duhet të bazohet pikërisht tek nismat ligjore të propozuara nga Partia Socialiste",- tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›