Grupi i PS-së, rregullore e re për deputetët

Grupi parlamentar i PS-së pritet të zgjedhë të martën kryetarin e grupit, nënkryetarët dhe sekretarin
TIRANË- Pavarësisht vijimit të bojkotit, grupi socialistë ka nisur përgatitjet për tu përballur me një luftë të fortë opozitare në Kuvend në momentin e parë që mazhoranca do të pranojë të shqyrtojë dy nismat ligjore të depozituara në seancën e një jave më parë.
Për këtë qëllim grupi socialist pritet të mblidhet ditën e martë ku dhe parashikohet të zgjedh strukturat e veta drejtuese, si dhe të përcaktojë rregullat e reja të funksionimit të tij. Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se për ditën e martë është thirrur mbledhja e radhës e grupit ku do të diskutohet së pari riorganizimi i grupit. Bëhet fjalë për zgjedhjen e kryetarit të grupit, nënkryetarëve dhe sekretarit.
Megjithëse zyrtarisht emrat nuk bëhen të ditura, mësohet se për postin e kryetarit të grupit më afër është kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi. Një zgjedhje kjo deri diku e detyruar për socialistët, pasi vet situata politike kërkon në krye të grupit një njeri me autoritet dhe përvojën e duhur, si për diskutimet në sallë apo në veprimtaritë e tjera parlamentare, por edhe për të ruajtur harmoninë mes vet deputetëve.
Megjithatë vet Ruçi i pyetur disa ditë më parë gjatë një emisioni televiziv deklaroi se ende grupi nuk ka vendosur për këtë çështje megjithëse nuk e mohoi mundësinë për tu zgjedhur në këtë post.
Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje, deputetët socialistët do të duhet të zgjedhin dhe nënkryetarin e tyre të parlamentit, i cili do të jetë dhe nënkryetari i tretë i këtij institucioni, pas Ardian Turkut dhe Nasip Naços.
Në mbledhjen e nesërme do të përcaktohen edhe rregullat e reja të funksionimit të grupit. Kështu në zbatim të vendimit të Asamblesë Kombëtare një grup pune i përbërë nga deputetë me profesion jurist kanë riparë rregulloren e brendshme të grupit me qëllim përcaktimin në të, të rregullave të reja të cilat synojnë të bëjnë funksionimin e grupit më efikas.
Kështu, rregullorja e re që pritet të miratohet synon të përcaktojë normat e sjelljes së anëtarëve të grupit karshi drejtuesve të tij ashtu edhe ndaj vendimmarrjeve politike të strukturave qoftë të grupit ashtu edhe të partisë.
Burime pranë grupit të punës që ka hartuar rregulloren e re bëjnë të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim thelbësor, por për vendosjen në rregullore të dispozitave që parashikon edhe statuti i partisë përsa i përket funksionimit të grupit, qoftë për vendimmarrjen ashtu edhe për masat që mund të ndërmerren për rastet e thyerjes së vendimeve politike të partisë.
Pjesë e vendimmarrjes së grupit do të jetë dhe mënyra e shpërndarjes së deputetëve nëpër komisione. Për ndarjen natyrisht do të merren parasysh profesionet e tyre dhe ata do të funksionojnë si komisione për të bërë oponencën e ligjeve edhe gjatë kohës që do të qëndrojnë jashtë Kuvendit.
***************
Zv- Kryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha dje LSI-ja po bën gati një paketë propozimesh
Haxhinasto: Paketë amendimesh për Kodin Zgjedhor
TIRANË- "Debati politik i muajve të fundit për problematikën e zgjedhjeve të 2009-ës, duhet të marrë një drejtim të ri: fillimin sa më parë të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme". Kështu ka deklaruar dje, zv-Kryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto.
Përmes një konference për shtyp, Haxhinasto ka deklaruar se LSI-ja ka filluar punën për përgatitjen e një platformë për përmirësimin e Kodit Zgjedhor duke riparuar defektet e vena re gjatë zgjedhjeve të 2009-ës dhe duke zbatuar rekomandimet e OSCE/ODIHR në raportin e saj përfundimtar. Këto propozime, sipas tij, do të paraqiten në mënyrë institucionale në Parlament.
"Zgjedhje të lira e të ndershme, konkurrimi i ndershëm dhe i barabartë për të gjithë, proces i pakontestuar nga partitë pjesëmarrëse dhe gjithpërfshirja e tyre, garantohet vetëm me një kuadër ligjor sipas standardeve ndërkombëtare, pra me një Kod Zgjedhor sipas këtyre standardeve.
Duke njohur gjithsecili përgjegjësitë përkatëse në hartimin e Kodit Zgjedhor të kaluar, është momenti të tregohet maturi politike dhe angazhim institucional për të filluar një proces gjithëpërfshirës në përmirësimin e Kodit dhe standardeve për zgjedhjet e ardhshme. Ligjet nuk përmirësohen duke bërtitur nga rruga dhe as duke hedhur "shashka" politike!",- tha Haxhinasto.
**********************
Kriza, Godo: Të ndërhyjnë ndërkombëtarët
TIRANË- Parlamenti nuk është një fushë futbolli, dhe për këtë arsye Partia Socialiste nuk mund të pasojë topin. Republikani Sabri Godo ka deklaruar dje se dalja e grupit parlamentar të PS-së nga Kuvendi është një mungesë e theksuar serioziteti.
"Shkuan atje për të thënë që tani ia lëmë topin Berishës. Këtu nuk luhet futboll, kemi të bëjmë me fatet e këtij vendi dhe kjo nuk më duket aspak serioze",- tha Godo. Ai shtoi se tashmë nuk vlen më as ndërhyrja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
"Unë nuk besoj se presidenti do të mund të çojë më tej këtë çështje. Presidenti bëri atë që i thanë të bënte. Nuk e di pse socialistët refuzojnë ti referohet kjo çështje Komisionit të Venecias, meqenëse tashmë është e qartë që ky konflikt mes PD-së dhe PS-së këtu brenda nuk do të zgjidhet.
Atëherë doemos duhet të kërkojmë një arbitër dhe kjo nuk më duket ndonjë gjë anormale",- vijoi Godo. Republikani theksoi se nisur nga qëndrimet e deritanishme, konflikti mes PD-së dhe PS-së mund të degradojë nëse çështja nuk kalon në dorë të ndërkombëtarëve.