E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr mes dy grupesh, vritet 18-vjeçari

DURRËS/ Në orët e mbrëmjes policia ka vënë në pranga të riun Erald Buçpapaj dhe 16-vjeçarin I.Curri

E.Çelepia ka mbetur i plagosur, pasi ka marrë dy plumba, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë në spital


DURRËS - Krismat e një pistolete në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit kanë lënë të vdekur në vend një të ri 18-vjeçar, si dhe i kanë shkaktuar plagë të rënda shokut të tij. Ky i fundit pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Durrësit është dërguar menjëherë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje kritike për jetën. Viktima quhet Klejdi Myzyri, ndërsa i plagosur është E.Çelepia, të dy banorë të lagjes nr.18 të Durrësit.


Ngjarja ndodhi në një lokal në afërsi të universitetit "Aleksandër Moisiu", në zonën e Currilave, ndërsa policia ka vënë në pranga disa orë më pas shtetasit Erald Buçpapaj, lindur në Tropojë e banues në lagjen nr.18, si dhe të riun I.Curri, 16 vjeç, djali i Luan Currit, i vrarë pak kohë më parë bashkë me nipin e tij po në qytetin bregdetar.


Ngjarja


Dëshmitarë okularë në vendngjarje bëjnë të ditur se katër të rinjtë kanë qenë pjesë e dy grupeve të ndryshme dhe ndodheshin në një lokal pranë bregdetit në zonën e Currilave. Ka qenë ora rreth 15:15, kur tre bashkëmoshatarët Myzyri, Çelepia dhe Buçpapaj, bashkë me Currin janë shfaqur në derën e lokalit duke vijuar një sherr të cilin e kishin nisur më parë.


Në këtë kohë, gjithçka ka degjeneruar, ndërsa katër plumba janë shtënë nga një pistoletë e tipit TT, model 54, duke lënë të vdekur Myzyrin dhe duke plagosur rëndë Çelepinë. Më pas, 19-vjeçari Buçpapaj dhe 16-vjeçari Curri janë larguar me një automjet në drejtim të paditur.


Hetimi

Mësohet se dy personat që u vunë në shënjestër janë banorë të lagjes 18 të Durrësit dhe asnjëri prej tyre nuk kishte precedentë penalë. Patrulla të shumta rrethuan zonën tek ish-shëtitorja "Vollga", ndërsa nisi operacioni në terren për kapjen e autorëve. Marrja në pyetje e dëshmitarëve në vendngjarje bëri që identifikimi i tyre të ishte i shpejtë, ndërkohë që u ushtrua kontroll edhe në banesat përkatëse.


Sipas policisë, dëshmitarët fiksuan edhe targën e mjetit me të cilin të rinjtë u larguan nga vendi i krimit. Arrestimi i tyre u bë i mundur rreth orës 19:30 të së dielës, ndërkohë që akuzat e ngritura janë vrasje në bashkëpunim, plagosje e rëndë e kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje. Policia shkencore në vendngjarje ka mundur të mbledhë edhe material të plotë për të bërë testin e ADN-së së autorit, për të dokumentuar të plotë vrasjen e kësaj të diele.


Fakti i armës së mbajtur me vete ka bërë të dyshohet edhe për një konflikt të vjetër mes autorëve dhe viktimave. Ende nuk është përcaktuar se kujt i përkiste arma, ndërkohë që ajo është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Burime nga policia kanë hedhur poshtë pistën e hakmarrjes duke e cilësuar vrasjen e 18-vjeçarit Myzyri pasojë të sherrit në lokal mes të rinjve.


Mjekët


Burime nga reparti i urgjencës u shprehën për "Shekulli"-n se dy të rinjtë ishin qëlluar në afërsi. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, 20-vjeçari Myzyri kishte marre 1 plumb në gjoks, i cili i kishte shkatërruar aortën, si dhe i kishte tejshpuar mushkëritë, duke bërë një plagë dalëse në rajonin e shpatullës.


Ai ka ndërruar jetë pak minuta pas të shtënave. Identifikimi i tij u krye në morgun e spitalit të Durrësit nga shokët dhe familjarët. E rëndë paraqitet situata për të mbijetuarin, 18-vjeçarin E.Çelepia, i cili pasi ka marrë ndihmën e parë në Durrës, është dërguar në spitalin ushtarak të Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›