Dade: “Kryeministri Berisha të shprehet publikisht për tryezën e dialogut, ne jemi gati”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste, nëpërmjet sekretares për Marrëdhëniet me Jashtë dhe njëkohësisht deputete e Partisë Socialiste, Arta Dade, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të shprehet publikisht për tryezën e dialogut nën drejtimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe të mos bëhet pengesë e saj. Edhe në diskutimin e gjatë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, dy reporterët e Projektrezolutës, David Willshire dhe Jaako Lakso, e kanë cilësuar situatën në Shqipëri një krizë politike që dëmton mirëfunksionimin e institucioneve demokratike dhe që duhet zgjidhur sa më parë. Këshilli i Europës, me miratimin e Projektrezolutës, i ka bërë thirrje spektrit politik në vend që të hyjë në dialog për zgjidhjen e krizës, në mënyrë që t’i jepet fund bojkotit dhe maxhoranca të hapë rrugën për hetimin e zgjedhjeve. Po kështu, në Rezolutën e KiE-së nxitet Presidenti i Republikës, Bamir Topi, që të marrë nismën për të organizuar një tryezë bisedimi mes maxhorancës dhe opozitës. Kjo pikë e Rezolutës, gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare në Strasburg, u kundërshtua nga Partia Demokratike nëpërmjet kreut të delegacionit shqiptar, Ilir Rusmali, por Asambleja nuk e miratoi.
Deklarata
Deputetja Dade i kërkoi shefit të Ekzekutivit t’i përgjigjet me seriozitet thirrjes së KiE-së për tryezë dialogu mes palëve. “Më lejoni të ripërsëris seriozitetin dhe angazhimin e Partisë Socialiste për daljen nga kriza gjithëdimensionale ku është zhytur vendi, krizë e cila evidentohet mëse një herë në Rezolutën e kaluar së fundi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Kjo krizë ka mbërthyer jo vetëm vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, por i ka detyruar ata që me seriozitetin përkatës të angazhohen duke ofruar formulën për daljen nga kriza”, - u shpreh Dade, duke deklaruar se “unë i bëj thirrje Sali Berishës t'u përgjigjet atyre me të njëjtin seriozitet dhe të mos pengojë dialogun me sponsorizime opozitarësh që flasin gjuhën e tij dhe as me lojëra fjalësh, por të shprehet publikisht për tryezën e presidentit, për të cilën ne jemi gati”.
Qëndrimi i opozitës
Kreu i partisë më të madhe të opozitës, Edi Rama, ka bërë të ditur qëndrimin e tij çdo ditë se nuk do t’i jepet fund bojkotit derisa të realizohen qëllimet që i kanë shtyrë të refuzojnë pjesëmarrjen në Parlament. Ai ka theksuar se do të vazhdojnë protestat e opozitës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për sa kohë që nuk ka dialog dhe mirëkuptim. Kryesocialisti ka bërë të qartë se nuk ka asnjë lidhje procesi i protestave me procesin e dialogut. Sipas tij, dialogu nuk do të kushtëzojë protestat dhe protestat nuk do të kushtëzojnë dialogun. Shefi i opozitës ka nënvizuar se zgjedhja për bojkotin e Parlamentit nuk është shprehje e një dëshire apo një vizioni për të bërë politikë, por si e vetmja rrugë për ta mbajtur fokusin te çështja e transparencës së zgjedhjeve.
Gjatë një interviste dhënë për Zërin e Amerikës pak ditë më parë përsa i përket realizimit të hapjes së kutive, kreu i opozitës tha se do të merret parasysh nëse ka pasur apo jo deformim të procesit dhe shkelje të ligjit, dhe në rast se po, u kalohet organeve kompetente për shqyrtim kjo shkelje. Ndërsa, përsa u përket mandateve të deputetëve socialistë, Rama theksoi se nuk ato do të digjen.
Xhaçka: “Berisha të pranojë dialogun, opozita, e vendosur në vazhdimin e protestave”
Menjëherë pas deklaratës së deputetit të Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, ka reaguar dje deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ku i bën thirrje shefit të Ekzekutivit, Sali Berisha, të ulet në tryezën e dialogut nën drejtimin e Presidentit Bamir Topi. Deputetja socialiste shprehu qëndrimin e opozitës se nëse nuk do të ketë dialog, vetëm protesta do të ketë në largimin e qeverisë që sipas saj, ka grabitur zgjedhjet për të grabitur gjithë Shqipërinë. “Është për të ardhur keq që sot na përfaqësojnë në pushtet njerëz që po tallen përditë me këtë popull. Sot doli z. Rusmali për të na treguar se Këshilli i Europës s’paska folur për krizë kur ka shkruar në Rezolutë se Shqipëria është në krizë”, - u shpreh Xhaçka, duke theksuar se “i bëjmë apel Sali Berishës të mos nxjerrë më gjuhën përmes burrash pa gojë e fytyrë për t’u tallur me shqiptarët, po të ulet pa humbur kohë në tryezën e presidentit për të dialoguar e hapur kutitë, ku janë dhe rrënjët e krizës që po mbyt shqiptarët”.
1 Shkurt 2010