Ndoka: “Kriza politike nuk zgjidhet pa larguar nga pushteti Sali Berishën”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e ka akuzuar dje publikisht kryeministrin Berisha si shkaktarin e krizës politike në vend. Sipas Ndokës, kjo krizë politike, pavarësisht nga rekomandimet e ndërkombëtarëve, nuk mund të kapërcehet pa larguar Berishën nga pushteti. Sipas Ndokës, është e nevojshme që të krijohet një qeveri teknike dhe të përcaktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Vetëm në këtë mënyrë vendi do të dalë nga kriza, që, sipas tij, po shkaktohet nga kjo maxhorancë që, në kundërshtim me deklaratat e ndërkombëtarëve, nuk lejon që të bëhet transparenca e plotë e procesit zgjedhor. Këtë deklaratë Ndoka e bëri dje gjatë një konference për shtyp gjatë së cilës përshëndeti Rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e KiE-së dhe deklaratën e studiuesit amerikan, Bernd Fisher.
Akuzat
“Partia Demokristiane shpreh keqardhjen e saj për koston e rëndë që po i krijon vendit kriza politike e shkaktuar nga kryeministri Sali Berisha, i cili kërkon të qëndrojë në pushtet me çdo kusht, duke mos përfillur vullnetin e zgjedhësve të shprehur me votë. PDK-ja, duke mbështetur dialogun politik midis partive të opozitës dhe maxhorancës, është e bindur se kriza politike nuk do të zgjidhet pa larguar nga pushteti kryeministrin Sali Berisha, shkaktarin e krizës së tanishme dhe të shumë krizave të tjera që ka kaluar vendi.
Kjo krizë politike zgjidhet vetëm nëpërmjet hetimit të zgjedhjeve, zbardhjes së të vërtetës mbi manipulimet masive me numërimin e votave dhe largimin e kryeministrit që qëndron në detyrë me vota të vjedhura”, - është shprehur Ndoka. Ai theksoi nevojën për krijimin e një qeverie teknike. “Kjo krizë politike ka vetëm zgjidhje politike, që mund të arrihet vetëm nëpërmjet konsensusit politik për krijimin e një qeverie teknike dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja brenda këtij viti”, - është shprehur Ndoka, ndërsa u bëri thirrje partive të koalicionit të djathtë që të lexojnë me vëmendje rezolutën e KiE-së dhe deklaratat e ndërkombëtarëve. “PDK-ja edhe njëherë u bën thirrje partive të maxhorancës të reflektojnë me përgjegjësi ndaj Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe i fton ato të bëhen palë për zgjidhjen e krizës politike që po mban peng të ardhmen europiane të vendit dhe po thellon çdo ditë krizën institucionale dhe ekonomike brenda vendit, duke e bërë çdo ditë më të vështirë e më të pasigurt jetesën e qytetarëve tanë. Partia Demokristiane përshëndet Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e konsideron atë një kontribut real dhe një dokument shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të deformuara të 28 qershorit. PDK-ja përshëndet gjithashtu edhe deklaratën e studiuesit të njohur nga SHBA dhe mikut të shqiptarëve, z. Bernd Fisher, i cili, duke kërkuar dhe hapjen e kutive të votimit citoi: ‘Shqipëria është në një moment kritik. Problemet duhet të kapërcehen, pasi kështu po ndërlikohet dhe rruga për në BE’. Shqipëria ka shtatë muaj që mbetet e bllokuar nga një krizë e thellë politike, krizë që maxhoranca u përpoq ta fshihte para qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar. Këmbëngulja e maxhorancës për të qëndruar fort mbi kutitë e mbyllura të votave të vjedhura ka krijuar bllokim të institucioneve kryesore të shtetit dhe ka venë në pikëpyetje funksionimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor”, - është shprehur Ndoka.
Paditë
Kreu i PDK-së hodhi akuza edhe në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme që sipas tij po zvarrit hetimet për paditë e bëra nga PDK-ja për manipulimin e procesit zgjedhor. “PDK-ja, si një parti institucionale që respekton ligjet e vendit dhe Kushtetutën, e dëmtuar rëndë nga vjedhja dhe manipulimi i votave, në një proces zgjedhor të komanduar e të manipuluar nga partia në pushtet, denoncoi me prova grabitjen e mandatit të saj në qarkun e Shkodrës dhe bëri depozitimin e provave në Prokurorinë e Shkodrës dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, por presioni i pushtetit mbi Prokurorinë ka penguar deri sot hetimin dhe ndëshkimin e fajtorëve për manipulimin e zgjedhjeve. Në përpjekje për të zgjidhur krizën, Partia Demokristiane iu bashkua protestave të të gjitha partive opozitare për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve dhe për të venë para përgjegjësisë ligjore individët e implikuar në vjedhjen e votave, por kryeministri dhe maxhoranca me kokëfortësi u fshehën pas vendimit të gjykatës zgjedhore, duke harruar se vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe i patjetërsueshëm”, - është shprehur Ndoka.
Meta merr pjesë në Konferencën e Londrës për Afganistanin
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën e Londrës për Afganistanin, ku komuniteti ndërkombëtar ishte mbledhur për të bashkërenduar burimet ushtarake dhe civile në shërbim të një strategjie politike për mbrojtjen dhe sigurinë në Afganistan. Në Konferencë morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme nga vendet e Forcës Ndërkombëtare për Siguri dhe Ndihmë, vendet fqinje të Afganistanit dhe nga vende me peshë rajonale. Gjithashtu, morën pjesë edhe përfaqësues nga NATO, OKB, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si Banka Botërore.
Ministri Meta vlerësoi se kjo konferencë e rëndësishme do t’i japë një impuls të ri angazhimit të koalicionit ndërkombëtar në Afganistan dhe se Shqipëria, si një prej 7 vendeve të para kontribuese, do të vazhdojë të ndihmojë përkrah aleatëve të saj për mbarëvajtjen e paqes dhe për një të ardhme më të sigurt për popullin afgan.
Përfaqësuesit e 70 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, të pranishëm në Londër, ranë dakord se një Afganistan me stabilitet dhe siguri është shumë i rëndësishëm për sigurinë e të gjithëve dhe se Afganistani nuk duhet lënë më në duart e regjimit brutal të Talibanit.
Në këtë kuadër, të gjitha marrëveshjet midis komunitetit ndërkombëtar dhe qeverisë së Afganistanit të nënshkruara në Londër, do t’i shërbejnë rritjes së kapaciteteve vendase për të siguruar sovranitetin e të gjithë territorit dhe sigurinë e prosperitetin ekonomik për të gjitha popullin afgan, njëkohësisht duke luajtur një rol konstruktiv në rajon.
Gjatë punimeve të Konferencës, Meta u takua edhe me shumë homologë të vendeve të tjera si me ministrin britanik për Europën, Chris Bryant, sekretarin e Jashtëm britanik David Miliband, ministrin Plotësues të Jashtëm grek, Dimitris Droucas. Homologët e vlerësuan rolin që Shqipëria ka luajtur deri tani në Afganistan dhe Meta i siguroi ata se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë pranë aleatëve ndërkombëtarë për t’ia arritur qëllimit të përbashkët në Afganistan.
1 Shkurt 2010