PD-ja degjeneron tryezën e dialogut të Presidentit Topi
Demokratët vazhdojnë të theksojnë se roli i Presidentit Topi është që të dënojë bojkotin e opozitës, duke e përdorur këtë si një parakusht për tryezën e dialogut. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë e KiE-së, Ilir Rusmali, u shpreh se është keqkuptuar amendamenti i PD-së në Asamble përsa i përket rolit të presidentit. Sipas Rusmalit, “PD-ja propozoi që të koncentrohen të gjitha përpjekjet dhe t’i jepet e gjithë ndihma e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Presidentit të Republikës, me qëllim që ai, brenda kuadrit që përcakton rezoluta, të mund të eksploronte zgjidhjen”. Më tej, “Presidenti, në çdo republikë parlamentare ka një mjet fondamental, fjalën e urtë dhe i takon atij të thotë që bojkoti në një vend si Shqipëria është i dëmshëm”. Më tej Rusmali ka sqaruar se rezoluta nuk e cilëson krizë situatën politike në Shqipëri dhe se amendamenti i 5-të, i miratuar, i propozuar nga PD-ja, thekson se hetimi parlamentar duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën. Kjo, sipas Rusmalit, nënkupton se nuk mund të dalë Parlamenti mbi vendimet e gjykatave dhe të vendosë hapjen e kutive të votimit.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij Rusmali ka dhënë shpjegime për debatin e zhvilluar në Asamble për rolin Presidentit. “Unë besoj se kjo ka qenë ndoshta në mënyrë të pavullnetshme një lexim i gabuar; më vjen keq ta them, ndoshta nga përfaqësues të medias, sepse konteksti i amendamenteve që ne propozuam në Asamble ka qenë pikërisht që të koncentrohen të gjitha përpjekjet dhe të jepet e gjithë ndihma e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Presidentit të Republikës, me qëllim që ai, brenda kuadrit që përcakton Rezoluta, të mund të eksploronte zgjidhjen. Ka pasur një keqinterpretim për të cilin unë jam i gatshëm ta përgënjeshtroj përmes kësaj konference shtypi”, - është shprehur Rusmali. Kjo deklaratë e Rusmalit bie ndesh me deklaratën e reporterit Wilshire, i cili, gjatë punimeve të Asamblesë tha se “kërkesa juaj për të fshirë rolin e Presidentit si negociator nuk është logjike”.
Më tej Rusmali është shprehur se në bazë të Rezolutës, i takon Presidentit që të deklarojë se bojkoti i opozitës është i dëmshëm për vendin. “Unë besoj që Presidenti, në çdo republikë parlamentare, ka një mjet fondamental, fjalën e urtë, dhe Presidenti i Republikës e ka këtë mundësi në çdo lloj rrethane. I takon atij të eksplorojë, i takon atij të hulumtojë brenda spektrit politik shqiptar, brenda ambientit politik shqiptar, i takon atij të theksojë publikisht ato mesazhe që theksohen dhe në Rezolutë, i takon atij të thotë që nuk goditet Kushtetuta e vendit nëpërmjet rrugës, nuk goditen institucionet e vendit nëpërmjet protestave, i takon atij të thotë që bojkoti në një vend si Shqipëria është i dëmshëm, siç e thotë Asambleja Parlamentare nëpërmjet Rezolutës të vet. Dhe sigurisht është ai që duhet të bëjë përpjekjet që t’i thërrasë të paarsyeshmit drejt arsyes”, - është shprehur Rusmali.
Komisioni
Duke iu referuar kërkesës së PS-së për hetimin e zgjedhjeve, Rusmali tha se komisioni hetimor parlamentar nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave dhe të vendosë hapjen e kutive. “Amendamenti ynë numër 5, që lidhet me Nenin 7 të Rezolutës, i thotë politikës në Shqipëri: respektoni shtetin ligjor, respektoni rregullat e lojës, respektoni Kushtetutën, kuadrin ligjor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese sa herë do të kërkoni nëpërmjet lëvizjeve tuaja politike”, - është shprehur Rusmali. Ai ka rrëzuar edhe deklaratën e Ramës, sipas të cilit, kërkesat e PS-së nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën. “Pretendimi i zotit Rama bie menjëherë poshtë sapo të konstatoni që të gjitha kërkesat ose pjesa kryesore e kërkesave të zotit Rama lidhet drejtpërdrejtë me konkluzionet përfundimtare të vendimeve të gjykatës, të Kolegjit Zgjedhor, me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Berat apo me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Fier. Drejtpërdrejt, kërkesat që zoti Rama përpiqet sot e gjithë ditën t’i përsërisë gati në mënyrë automatike, kanë marrë përgjigje të drejtpërdrejtë dhe përfundimtare nga gjykatat shqiptare. Prandaj kërkohet të hapet komisioni hetimor, por komisionit hetimor nuk i lejohet kurrsesi që të prishë vendimet e gjykatave, sepse është jashtë funksioneve të veta kushtetuese”, - është shprehur Rusmali.
Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe anëtarja e delegacionit shqiptar në KiE, Lajla Pernaska, e cila, gjatë fjalës së saj e cilësoi antikombëtare kërkesën e PS-së për të rishikuar kredencialet e delegacionit shqiptar.
1 Shkurt 2010