Kriza, Meidani: “Topi të kishte ndërhyrë, opozita ti japë fund bojkotit”
Ish-presidenti Rexhep Meidani kritikon presidentin aktual Bamir Topin për pasivitetin e tij në zgjidhjen e krizës aktuale politike. “Negociatat duhet të ishin nisur nga Bamir Topi pa pasur nevojë për thirrje nga Këshilli i Europës”, - tha Meidani gjatë një aktiviteti në Universitetin “Marin Barleti”. “Duhet të ishte pjesë e kësaj zgjidhjeje dhe kohë me parë. Sidoqoftë, ai mund të japë kontribut relativisht pozitiv edhe në fazën aktuale sepse në gjykimin tim është një ngërç që duhet të zgjidhet. Është një ngërç që nuk u shërben Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë”, - tha Meidani. Meidani shprehu edhe njëherë rezervat e tij për rrugën që zgjodhi opozita për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Ai i bëri thirrje lidershipit socialist të ndërpresë bojkotin. “Nuk është e drejtë vendimmarrja e Partisë Socialiste për të bojkotuar që në fillim Parlamentin. Duhet të përfshihej në procesin parlamentar për të realizuar pikësynimet kryesore, në mënyrë të veçantë transparencën për procesin zgjedhor”, - tha Meidani.
Presidenti Bamir Topi u ka bërë thirrje disa herë liderëve politikë të dialogojnë, por zëri i tij nuk është dëgjuar deri kur Këshilli i Europës, në Rezolutën për Shqipërinë, këshilloi në mënyrë të drejtpërdrejtë organizimin e një tryeze takimi nga presidenti.
1 Shkurt 2010