Dade: Topalli po bën diversion me opozitën

Sipas Dades, Topalli shkeli rregulloren e Kuvendit dhe të KE-së
TIRANË- Propozimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të pezulluar të drejtën e votës të delegacionit të Shqipërisë, për shkak se nuk janë ruajtuar balancat të përfaqësimit në Asamble, midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, solli dje edhe reagimin e Partisë Socialistë.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në selinë rozë, Arta Dade theksoi se ky është një leksion demokracie që Këshilli i Evropës i dha mazhorancës qeverisëse. Sipas Dades kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli me vendimin e saj duke emëruar emrat në KE pa miratimin e Kuvendit, po përpiqet të kryejë diversion me opozitën.
Sipas Dades, Topalli ka shkelur rregulloren e Kuvendit dhe atë të Këshillit Evropës. "Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës edhe njëherë na jep leksione demokracie për maxhorancën shqiptare. Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi funksionojnë. Përkundrazi ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe znj.
Topalli mëse një herë e ka kryer këtë detyrë më së miri dukë dëmtuar imazhin e vendit. Ajo i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës", - tha dje Dade.
Sipas deputetes së PS-së, vendimi që ka ndërmarrë Topalli ditët e fundit bie ndesh me rekomadimet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike. Dade shtoi se, ajo që ka ndodhur në Strasburg, nuk sjell asnjë mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik.
"Gjithashtu ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut. Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës", - u shpreh ajo.