Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese, nis gara për vendet vakante

Kryetari i Shtetit nis procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende vakante në Gjykatën e Lartë
TIRANË - Vëmendja e politikës, kryesisht e mazhorancës do të përqendrohet ditët e ardhshme në procesin që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, hapi dje për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe dy në Gjykatën e Lartë. Procesi në dukje është më se normal.
Por, nëse kihet parasysh se çfarë ndodhi në përplasjen e dy viteve më parë me emrat e rinj të Gjykatës së Lartë mes Topit, Berishës dhe Topallit, priten konflikte të reja, ku mazhoranca do të tentojë me çdo kusht që të ndryshojë balancat e përfaqësimit në favorin e saj në të dyja gjykatat.
Procesi
Kabineti i Presidentit të Republikës njoftoi dje se Kryetari i Shtetit ka nisur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende vakante në Gjykatën e Lartë.
Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo me pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet.
Zyra e kabinetit të Presidentit njoftoi se të gjithë individët, që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, janë të ftuar të paraqesin pranë Kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre me dokumentacionin përkatës. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, është data 15 shkurt 2010.
Anëtarët që ikin
Zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet me emërim të Presidentit të Republikës dhe dhënie pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Janë plot 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të cilët do të lënë zyrat e tyre, brenda këtij 6 mujori, (3 prej tyre duhet të zëvendësohen në muajin Mars).
Ata janë Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza. Nisur nga rëndësia që ka kjo gjykatë për shkak të vendimeve që ajo merr, procesi i kryerjes së zëvendësimeve pritet të kthehet në një betejë të vërtetë mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, por edhe opozitës, duke pasur parasysh se kjo e fundit nuk është në Kuvend. Për pasojë, Kreu i Shtetit mbetet e vetmja garanci për të pasur një gjykatë sa më profesionale dhe të pavarur nga politika.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Gjykatën e Lartë. Edhe për dy vendet vakante, pavarësisht propozimit të Presidentit të Republikës, është Kuvendi institucioni që jep firmën përfundimtare.
Dy vjet më parë, legjislativi me votat e mazhorancës rrëzoi propozimet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Aktualisht dy do të jenë anëtarët që do të largohen nga kjo Gjykatë, Spiro Spiro dhe Perikli Zaharia
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që largohen
Fehmi Abdiu që nga viti 1998 e në vijim ushtron funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Kujtim Puto prej vitit 1998 është emëruar dhe ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Sokol Sadushi që nga viti 1998 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Xhezair Zaganjori është bërë pjesë e trupës së gjyqtarëve kushtetues në vitin 2003.
Admir Thanza është zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese për një mandat plotësues të vendit të mbetur vakant
Gjergj Sauli, nga muaji shkurt i vitit 2009 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Anëtarët e Gjykatës së Lartë që largohen:
Spiro Spiro
Perikli Zaharia
Kushtetuta
Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.
Neni 136
1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Njëri nga anëtarët emërohet Kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.
4. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë Juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.
Dokumentacioni që kërkohet:
Kopje diplome dhe listë notash
Kopje të titujve shkencorë
Kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit
indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë
Vërtetim nga Institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore
Çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar është data 15 shkurt 2010.