E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji "Antimafia", Berisha: Do të çmontojmë pasuritë e pushtetarëve

Sipas Berishës, do të ngrihet edhe një Bord Këshillimor për zbatimin e ligjit

TIRANË -Në kuadër të përmbushjes së standardeve të udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave, Kryeministri i vendit, Sali Berisha deklaroi dje se, mazhoranca nëpërmjet ligjit "Antimafia" do të godasë pasuritë e pushtetarëve që kanë përvetësuar në mënyrë të paligjishme pronat publike gjatë këtyre 18 viteve. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri vuri në dukje se grabitësit e pronave, kanë përdorur pushtetin e tyre për të zhdukur dokumentet.

"Përpjekje të mëdha po bëhen për të çmontuar, me forcën e ligjit, pasuritë e mëdha të përvetësuar nga pushtetarët e të gjitha niveleve, gjatë këtyre 18 viteve, të cilët kanë bërë batërdinë mbi pronat publike të këtij vendi. Unë ju kam deklaruar se Mali i Dajtit është më i vogël sesa falsifikimet e përbindshme që kanë bërë në zonat më turistike, më të çmuara, më të kushtueshme të vendit.

Sepse ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet",- tha dje Berisha.
Kreu i qeverisë u shpreh se mazhoranaca do të nxjerrë në dritë të gjitha abuzimet që janë kryer me pronat. Sipas tij, numri i pronarëve ilegjitimë e tejkalon atë të pronarëve të vërtetë. "Beteja është e vështirë, presionet janë të mëdha dhe të jashtëzakonshme, vullneti është i hekurt.

Asgjë nuk mund të pengojë këtë mazhorancë të nxjerrë në dritën e diellit të gjitha të vërtetat e makutërisë së pafundme të ushtruar, të abuzimit të jashtëzakonshëm që është bërë.

Numri i pronarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme, ka rrezik tejkalon qartë atë të pronarëve të vërtetë",- theksoi ai. Numri një i qeverisë vuri në dukje se mafia e cila, sipas tij, është fuqizuar me prona gjatë këtyre viteve, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik.

Ai theksoi se për zabtimin e këtij ligji, qeveria do të shqyrtojë edhe ngritjen e një Komiteti ose Bordi Këshillimor. "Me këtë ligj, mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik. Ka një vakum që u krijua me Komitetin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar.

Qeveria po shqyrton ngritjen e një Bordi Këshillimor apo të një Komiteti, i cili të mund të mbikëqyrë problematikën e zbatimit të ligjit", - u shpreh ai.

Berisha tha gjithashtu se disa nga ndryshimet e propozuara nga qeveria disa ditë më parë për Ligjin e Shërbimit Informativ Kombëtar do të shkojnë në bashkërendim me këtë ligjin "Antimafia".

"Ky ligj kërkon një shkallë të lartë bashkëpunimi midis të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit, bashkëpunim që po konsolidohet çdo ditë e më shumë. Ky ligj, i standardeve më të mira, u mundëson një veprim ligjor më të fuqishëm të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit.

Disa ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit shkojnë në këtë drejtim",- shtoi Berisha. Lidhur me projektligjin për Moratoriumin e skafeve, lideri i mazhorancës vuri në dukje se, ky ligj do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi derisa mazhoranca të qëndrojë në pushtet.

Ai theksoi gjithashtu se ky vendim i qeverisë është një vendim politik dhe nuk ka të bëjë me heqjen apo mos heqjen e regjimit të vizave me vendet e BE-së. "Moratoriumi për skafet hyn në fuqi se shpejti, dëshmi kjo e një vullneti të kësaj mazhorance që industria e mafies, pasi skafet janë industri e mafies, të mos mund të zhvillohet më në brigjet tona.

Këtu dua të theksoj se heqja e këtij Moratoriumi është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet. Nuk do të ketë skafe në ujërat tona. Ky është qëndrim politik.

Ne e shpallim para çdo fushate dhe shqiptarët le ta vlerësojnë. Kjo nuk lidhet me heqjen apo mos heqjen e vizave, kjo është një politikë konstante e qeverisë", - nënvizoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›