E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: “Transparenca, maxhoranca të dëgjojë zërin e opozitës dhe të ndërkombëtarëve”



Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, i ka bërë thirrje dje maxhorancës që të dëgjojë zërin e opozitës dhe të faktorit ndërkombëtarë për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Në rast të kundërt, deputetja socialiste i kujtoi kryeministrit Sali Berisha vazhdimin e protestave deri në largimin e qeverisë. Dade tha se kriza e vendit po artikulohet publikisht çdo ditë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Duke përmendur këtu përfaqësuesin më të lartë të Misionit të OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin spanjoll, vend i cili mban edhe presidencën e Bashkimit Europian, ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe të tjera institucione ndërkombëtare, të cilët, tha Dade, janë shprehur qartazi se kriza po thellohet dhe se ajo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut, kompromisit dhe konsensusit të palëve.
Deklarata
Sipas Dades, duke qenë në konflikt të hapur me opozitën, me partnerët ndërkombëtarë, me institucionet e pavarura, me Kushtetutën dhe ligjin, Sali Berisha nuk ka shumë kohë që të bëjë të paktën njëherë në historinë e tij politike gjënë e duhur, në momentin e duhur, nuk është vetëm vlerësimi i Partisë Socialiste dhe i aleatëve të saj, por ky qëndrim po.
“Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë tashmë një krizë shumëdimensionale që përkeqësohet e rëndohet çdo ditë. Vetëm Sali Berisha nuk e sheh dhe nuk e njeh krizën. Për Sali Berishën fjalët dialog, kompromis dhe konsensus nuk do të thonë asgjë”, - tha Dade”, - duke shtuar se manipulimi me të cilin pushteti i Sali Berishës përdori tiraninë e kartonëve për të krijuar një pseudokomision hetimor parlamentar, i cili vetëm hetim të zgjedhjeve nuk mund të ofrojë, është shprehja më e qartë e koncepteve autoritariste dhe manipulative të maxhorancës. “Apeli ynë për Sali Berishën është të dëgjojë drejt, sa ende nuk është vonë, zërin e popullit opozitar dhe faktorit ndërkombëtar për hetim të plotë e transparencë të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Sali Berisha dhe pushteti i tij i kanë lënë vetëm një zgjidhje popullit opozitar: protesta deri në largimin e këtij njeriu që Shqipërisë nuk i ka ofruar dhe nuk mund të ofroje asnjë alternativë”, - u shpreh deputetja Dade.
Komisioni hetimor
Opozita i ka bërë të qartë maxhorancës se nuk do të ketë kompromis nga opozita për komisionin hetimor. Sipas zërave opozitarë, me këtë komision hetimor nuk mund të ketë kompromis, pasi themelet i ka në veprime arbitrare të ndërmarra nën diktatin e kartonëve, të cilët jo vetëm janë në kundërshti të plotë me rregullat e parlamentarizmit, por përbëjnë edhe një shkelje të hapur të ligjit dhe Kushtetutës. Komisioni i kërkuar nga opozita dhe i miratuar nga maxhoranca ka në përbërje të tij 15 deputetë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Ndërkohë që Partia Socialiste ka deklaruar mosnjohjen e tij, maxhoranca do të përfaqësohet nga Rusmali, Gumi, Halimi, Trashani, Paloka, Naço dhe Alibeaj. Qeveria ka deklaruar se Parlamenti do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme në hetimin e zgjedhjeve, duke vënë në dispozicion 100 prokurorë. Sipas saj, Prokuroria, si organ hetimor, ka të drejtë të hyjë në themel të çdo çështjeje.

Kodheli: “Shqiptarët po vuajnë papunësinë dhe rritjen e çmimeve”

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, shprehu dje shqetësimin për rritjen e papunësisë të çmimeve duke akuzuar qeverinë. Ajo tha se shifrat e INSTAT-it tregojnë se papunësia vazhdon të rritet, edhe pse Berisha premtoi hapjen e vendeve të reja të punës. Gjithashtu, kredidhënia vazhdon të mbetet problematike, duke ngushtuar në maksimum hapësirën e biznesit për frymëmarrje. “Përballë kësaj situate alarmante, të cilën shqiptarët e përjetojnë çdo ditë, Sali Berisha shet demagogji. Sot, Sali Berishën nuk e beson dot më kush. Jo sepse Sali Berisha nuk di të gënjejë, por sepse përballë këtij realiteti, edhe kur gënjen, askush s’të beson dot”, - tha Kodheli.
Deputetja u shpreh se rritja e çmimeve të mallrave dhe konsumit të përditshëm është aq e madhe, sa pjesa dërrmuese e qytetarëve të këtij vendi kanë ndryshuar mënyrën e jetesës. Çmimet janë rritur aq shumë, sa sot shqiptarët blejnë produkte inferiore. “Për muaj me radhë përsëriti se Shqipëria nuk po preket nga kriza ekonomike. Për muaj me radhë premtonte rritje ekonomike dyshifrore. Për muaj me radhë pretendonte se qeveria e tij ishte e aftë të mblidhte të ardhurat, se punësimi do të rritej, se inflacioni ishte nën kontroll, se nënçmimi i lekut nuk kishte pasoja për shqiptarët e thjeshtë. Ndërkohë që sot realiteti është krejt tjetër”, - u shpreh Kodheli, duke shtuar: “Në fillim INSTAT-i, më pas Banka e Shqipërisë, e së fundi edhe FMN-ja, pohojnë se efektet e krizës ekonomike janë prezente në Shqipëri”. Sipas saj, të gjitha ato familje që janë në ndihmë sociale dhe që nga pushteti i Sali Berishës nuk arrijnë dot të sigurojnë as minimumin e jetesës, arrijnë të blejnë vetëm bukë e asgjë tjetër dhe se shtresa e mesme, punonjësit e administratës, jo vetëm që nuk shpenzojnë me para për veshje apo aktivitete kulturore e sociale, por blejnë edhe më pak ushqime dhe zgjedhin cilësi më të ulët për të kursyer sa më shumë.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›