Ana Kaçinari dhe Orkestra Simfonike e RTSH, koncert në Akademinë e Arteve
Tingujt e pianos së solistes, Ana Kaçinari zbresin nesër në mbrëmje në skenën e Akademisë së Arteve, gjatë një koncerti të veçantë, realizuar në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të RTSH. Nën drejtimin e dirigjentit të njohur shqiptar Eno Koço, në datën 26 Mars, publiku i kryeqytetit e më gjerë ka mundësinë të jetë i pranishëm në një mbrëmje të veçantë me muzikë klasike, ku do të interpretohen pjesë të zgjedhura nga pianistja Kaçinari. Qysh nga fillimi sezonit të saj artistik për vitin 2010, Orkestra Simfonike ka sjellë për gjithë admiruesit e muzikës klasike, koncerte të ndryshme të realizuara gjithashtu në bashkëpunim me emra të njohur të fushës, jo vetëm në Shqipëri por edhe në skenat botërore. Kështu, sezoni për këtë vit ka nisur me një koncert tepër të veçantë zhvilluar në Akademinë e Arteve. Ishte konkretisht pianistja koreane Song Se Jim e cila, në drejtimin e dirigjentit, Jetmir Barbullushi i ka falur publikut shqiptar një mbrëmje plot emocione, nën tingujt e pianos. Dhe nën interpretimin e kësaj artisteje krejtësisht të veçanta ishin edhe pjesët e zgjedhura për këtë koncert, ku përveç kompozitorëve të njohur me famë botërore përfshiheshin dhe pjesë shqiptare si ajo e kompozitorit Aleksandër Vezuvi, i cili erdhi me premierën e tij të titulluar “Vallja shqiptare nr 1 për Simfoni dhe Orkestër”. Ky koncert erdhi i veçantë pasi ai bashkoi tingujt shqiptarë dhe ato të klasikëve, në një interpretim nga koreania Song Se Jim. Më pas koncertet vijuan me një tjetër mbrëmje muzikore ku tingujt e violinës së solistes Suela Piciri, drejtuar nga dirigjenti italian Marco Ambrosini erdhën për publikun, gjithashtu në bashkëpunim edhe me Orkestrën Simfonike të RTSH. Në këtë koncert, realizuar në mjedise të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u interpretuan pjesë të kompozitorëve të njohur shqiptarë e të huaj si, Kujtim Laro, Bruch dhe Schubert, të shoqëruara gjithashtu edhe nga solistja tjetër Albana Kola në violë. Ndërkohë që në skenën shqiptare do të vijojnë të zbresin artistë e kompozitorë me famë botërore, ashtu sikurse në të njëjtën kohë, muzika klasike e artistët shqiptarë do të vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht vlerat kombëtare në skenat botërore.
Pranvera Frankofone sjell në “Marubi”, “Gjyshet e revolucionit”
Në kudër të Pranverës Frankofone në shkollën “Marubi” Petra Seliskar dhe skenaristja e producentja Brand Ferro, kanë ardhur mbrëmë për publikun shqiptar përmes filmit "Gjyshet e revolucionit", një nga filmat më të bukur të viteve të fundit. Historia e autoreve flet për tre gjëra që besojnë tre gjyshe: anarkizmin, komunizmin, lirinë e lëvizjes dhe për të treja këto, duhet të paguhet. Tre gjyshet e forta rrëfejnë role të ndryshme në shoqëri, antagonizmin në mes të gënjeshtrës, iluzionin dhe realitetin. Autoret e filmit Seliškar dhe Ferro, kanë arritur të transformojnë jetën e familjeve të tyre në një rrëfimin interesant për dhimbjet e kohëve moderne, si edhe për të theksuar pika qendrore në aspektin universal ekzistencial dhe aspektin moral si edhe për të prekur fatin e botës përmes fatit të një familje, si edhe të gjithë logjikën dhe të gjithë absurdin. Pa kundërshtime, censurë apo duke i bërë make-up dokumentit, ky film përmes të vërtetës së tij, na detyron neve që të konfrontojmë dilemat tona të mëdha. Merita e madhe është edhe e skenarit të mrekullueshëm të Brand Ferro dhe bashkëpunëtorit tjetër Filip Grèevski. “The Grandmothers of Revolution” (“Babica revolucije”) është plotësuar nga muzika e jashtëzakonshme e Jane Kodžabašija dhe Project Zlust. Duhet thënë se filmin e rregullon shumë dhe zgjedhja e duhur e materialeve arkivore. Brenda 88 minutash humori juaj shkon nga e qeshura dhe mbaron në një siklet apo nga kundërshtia në dashuri.
26 Mars 2010