Sot mblidhet Asambleja e PS-së, diskutimet mbi raportin me Kuvendin dhe protestat
Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet sot për të diskutuar për raportin e kushtëzuar me institucionin e Kuvendit dhe për organizimin e protestave. Por, socialistët mbeten të ndarë për bojkotin apo jo të Kuvendit dhe pritet të debatojnë dy qëndrime gjatë mbledhjes së sotme. Në njërën anë mbështetësit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe thonë se bojkoti ende nuk ka përfunduar, ndaj dhe qëndrimi radikal duhet shmangur. “Në asnjë rast, dhe do të jetë zhvillim negativ në PS-ja nuk duhet të gjejë akses në rritje individë apo mentalitet, të cilët mendojnë se rruga më e mirë për t’u imponuar është radikalizimi i PS-së. Kjo do të jetë strategjia më dritëshkurtër dhe më afatshkurtër. Fakti që ne shkojmë thjesht për të bërë një debat, apo rasti më i keq dje që shkojmë për të prezantuar një qëndrim 5 minuta dhe pas asaj largohemi nga parlamenti i vendit tonë nuk mendoj se bojkoti ka përfunduar”, - tha Malaj në një prononcim për median. Në anën tjetër, një pjesë e mirë e deputetëve socialistë thonë se prania në Kuvend duhet të jetë vetëm për diskutimet e lira. Kështu, socialistët nuk do të votojnë asnjë ligj deri kur të gjendet një kompromis për krizën politike.
Në Partinë Socialiste janë dalluar dy rryma për mënyrën e organizimit të protestave. Grupi i parë është ai që mendon se duhet të nisin protestat në çdo qytet dhe zonë urbane, ku në krye të jenë deputetët e qarkut. Ideja tjetër është ajo e organizimit të një proteste masive në kryeqytet dhe të mos largohet andej pa pasur një reagim nga qeveria. Mundësia më e madhe është që socialistët të grumbullojnë protestues në çdo qytet dhe më pas të mblidhen para selisë së qeverisë dhe të rrinë aty për ditë me radhë. Megjithatë, i ngelet sot mbledhjes së Asamblesë për të vendosur lidhur me këto dy çështje.
27 Mars 2010