E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Balac: Hungaria mbështet Shqipërinë në proceset integruese



Hungaria do vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha proceset integruese, si dhe do të ndajë përvojën pozitive për kryerjen me sukses të reformave në këtë drejtim dhe arritjen e standardeve. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balac, në një takim me kreun e shtetit, Bamir Topi. Nga ana tjetër, Presidenti vlerësoi qëndrimet e qarta të Hungarisë në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për integrimin në NATO dhe më pas në Bashkimin Europian, sidomos në këtë etapë të rëndësishme të këtij procesi dhe në prag të liberalizimit të regjimit të vizave. Topi vlerësoi si shumë të mirë nivelin e bashkëpunimit politik mes dy vendeve tona dhe vuri në dukje “se ekzistojnë hapësira për ta thelluar akoma më tej këtë bashkëpunim në të gjitha fushat, sidomos përsa u përket shkëmbimeve dhe marrëdhënieve tregtare, ekonomike dhe ato në fushën e turizmit”.
Ministri Balac dhe presidenti Topi çmuan rolin pozitiv dhe konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin politik, duke theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë pjesë sa më shpejt në gjirin e familjes së madhe europiane. “Hungaria është një vend partner në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe një vend mik, duke dhënë një ndihmesë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Këtë e dëshmon edhe vizita e sotme e ministrit të Jashtëm hungarez, si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes me homologun Meta”, - është shprehur Topi. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm hungarez, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, e siguroi presidentin Topi se “vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha proceset integruese, si dhe do të ndajë përvojën pozitive për kryerjen me sukses të reformave në këtë drejtim dhe arritjen e standardeve”. Ndërsa gjatë takimit me homologun shqiptar, Ilir Meta, ministri i Jashtëm hungarez vlerësoi hapat që ka bërë Shqipëria në drejtim të integrimit në BE. “Shqipëria po ecën mirë, ajo ka bërë përpjekje të mëdha, ka arritje dhe besoj se do të vazhdojë në këtë drejtim. Por, përveç kësaj, ne duhet të marrim dhe konsensusin e 27 vendeve anëtare të BE-së. Në rast se procesi i liberalizimit të vizave nuk do të jetë arritur deri në kohën kur Hungaria do të marrë presidencën e radhës të BE, natyrisht që do të bëjmë gjithçka është e mundur që kjo të realizohet”, - theksoi Balac.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›