Dade: Uroj që Erioni të bëjë luftën ligjore deri në fund për të vërtetat e tij

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Mbrëmjen e sotme në Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e organizuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës – Kryeqytet i Shqipërisë.
Arta Dade, një nga personalitetet e njohura të Partisë Socialiste, shprehu mbështetjen e saj dhe mirënjohjen për kryebashkiakun Erion Veliaj.
Gjatë ceremonisë së organizuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 105-vjetorit të shpalljes se Tiranës – Kryeqytet, Dade vlerësoi punën e Veliajt, ndërsa tha se me vizionin, punën dhe përgatitjen e tij Veliaj është kryetari i një bashkie europiane.
“Tirana është vendi i parqeve dhe i rrugëve të bukura. Tirana është vendi ku unë u bëra nënë dhe në parqet e saj rrita fëmijët e mi. Tirana është qendra që mirëpriti dhe që hapi krahët në këto 35 vite të mijëra shqiptarëve që erdhën nga të katër anët e botës. Tirana nuk pranon tym, molotov dhe egërsi, Tirana do paqe. Tirana refuzon sharjet, intigrat dhe hedhjen e baltës, Tirana i ka refuzuar dhe do t’i refuzojë”, tha Dade.
“Tirana sot është sot Kryeqyteti i Dialogut dhe i Kulturës. Tirana ka qenë dhe kryeqyteti i Rinisë. Patjetër sot na mungon kryetari i bashkisë dhe unë e falenderoj për punët e shkëlqyera që ka bërë në 10 vitet në krye të bashkisë. Erioni përfaqëson brezin e ri të politikës. Erioni nuk ka lidhje me politikën e 35 viteve. Tirana mirëpriti para një jave kryetarë bashkie nga e gjithë Europa ku dëgjuam vlerësimet maksimale. Unë uroj që Erioni të bëjë luftën ligjore deri në fund për të vërtetat e tij dhe të familjes. Jam e bindur që Tirana do të votojë vetëm për stabilitetin, progresin. Erion Veliaj mund të ishte shumë mirë pa mëdyshje edhe kryetari i bashkisë së Romës, sepse me vizionin me punën dhe përgatitjen që ai ka patjetër që është kryetar një bashkie europiane”, u shpreh Dade.
/r.e/