E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade dhe Kodheli: Nuk tërhiqemi nga aksioni ynë

Partia Socialiste përforcoi qëndrimin e saj për të vijuar me aksionin opozitar për hapjen e kutive, ndërsa i bëri thirrje Kryeministrit Sali Berisha që nuk mund të tërheqë vëmendjen me shpifje dhe akuza personale. Dy deputetët e PS-së, Arta Dade dhe Mimi Kodheli, reaguan ndaj akuzave të djeshme të krerëve të mazhorancës në Lezhë dhe në Shkodër. "Ditët e fundit, Sali Berisha i është vërsulur me tërbim opozitës me shpifje të padenja për një Kryeministër. Ai nuk ka kurajo të ballafaqohet me të vërtetën e kutive të votimit dhe rreket të tërheqë opinionin publik me baltën e shpifjeve ndaj liderit të opozitës", tha Dade. Ajo vuri në dukje se Sali Berisha nuk mund të mbulojë krimin dhe korrupsionin elektoral, duke u futur në familjet e në shtëpitë e të tjerëve, gjë të cilën ne nuk e kemi bërë kurrë. "Ne s‘jemi marrë asnjëherë as me jetën private të Sali Berishës, as me jetën private të familjarëve të tij, po jemi marrë vetëm me kapjen e shtetit për llogari të interesave të pushtetit familjar. Sali Berisha ta harrojë se mund të gjejë ndonjë shteg për t‘i shpëtuar ballafaqimit me popullin opozitar, në rast se ai nuk i hap kutitë e votimit", u shpreh Dade. Ajo vuri në dukje se asgjë nuk e shpëton Berishën, as sulmet ndaj opozitës për ta zmbrapsur atë, përkundrazi bën efektin e kundërt dhe opozita do të mbetet në vazhdim të aksionit të saj politik për hapjen e kutive të votimit. "Mjetet që Sali Berisha përdor janë mjete të vjetruara dhe më mirë se kushdo tjetër efektin e tyre e di vetë Sali Berisha", deklaroi deputetja socialiste. Nga ana tjetër, deputetja Mimi Kodheli tha se Sali Berisha duhet ta harrojë se mund të fshehë të vërtetën e 28 qershorit. "Një popull i tërë kërkon hapjen e kutive, një e treta e të cilave, sipas OSBE-së, është numëruar keq ose shumë keq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›