E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët në protestë: Dua të shoh votën time!

Protestat e socialistëve po shtrihen edhe në vendin fqinj, në Greqi, ku edhe numri i emigrantëve është më i madh. Me një interesim pritet edhe nga mediat e huaja kjo protestë paqësore nga emigrantët. Dihet që në këtë vend socialistët përbëjnë 60-70 për qind të emigracionit. Lidhur me fillimin e protestave në shtetin helen, mësohet se kryetari i PS-së, z.Rama, u ka dërguar një përshëndetje falënderimi emigrantëve për mbështetjen dhe për protestën që do të zhvillohet përpara godinës ku do të mbahet asambleja e ministrave të Jashtëm të Europës. Sot (më 01.12.2009) në orën 17:00, emigrantët në Athinë dhe në periferitë e saj do të organizojnë një protestë paqësore, përballë godinës së mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Europës, në zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Emigrantët kanë ditë që janë përgatitur që kjo protestë të dalë me sukses për të sensibilizuar ministrat e huaj që do të mblidhen në Athinë. Mësohet se për realizimin e protestës paqësore në Athinë është ngritur dhe një shtab qendror, ku kanë bërë edhe ndarjen e detyrat përkatëse. Protestuesit kërkojnë numërimin e votave një për një në Parlamentin shqiptar, në sy të të gjithë shqiptarëve, pasi dyshimi për vjedhje të votave të tyre as nuk diskutohet. Ata shprehen se Kryeministri shqiptar e ka më të lehtë që të rrënojë demokracinë, se sa të zbardhë të vërtetën. Gjendja e rëndë politike në Shqipëri, mungesa e transparencës, dhe moshapja e disa kutive të pretenduara nga opozita, i kanë sensibilizuar edhe vetë emigrantët për protestat që tashmë kalojnë dhe kufirin shqiptar. Kjo përbën një sfidë për qeverinë aktuale. Nga kjo protestë përballë sallës së ministrave të 47 vendeve të Europës do dërgohet edhe një peticion për njohjen e kërkesave dhe gjendjes aktuale për zbardhjen e së vërtetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›