E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade thirrje Berishës të marrë seriozisht kërkesat e PS-së

TIRANE - Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS Arta Dade i bën thirrje kryeministrit Berisha të reagojë sa më shpjet për kërkesat e opozitës pasi do të përshkallëzojë protestat. Sipas saj, kryeministri Berisha duhet të marrë seriozisht vendimin politik të opozitës.

"Sali Berisha në vend që të flasë se ai na paska organizuar zgjedhje të shkëlqyera, duhet patjetër të marrë seriozisht vendimin politik të opozitës, për të mos marrë pjesë në parlament përderisa nuk bëhet transparenca e plotë e kutive të votimit dhe e materialeve zgjedhore", theksoi Dade. Dade e ka akuzuar Berishën si të vetmin përgjegjës për ngërcin në situatën politike.

"Manipulimi dhe deformimi i vullnetit të shumicës elektorale padyshim që bën përgjegjës Sali Berishën. Ai ka abuzuar me bashkëpunimin me opozitën dhe vazhdon të ketë një shurdhëri absolute edhe ndaj sugjerimeve të Komisionit Evropian, për të rivendosur dialogun politik, i cili nuk mund të vendoset në rast se Sali Berisha nuk merr seriozisht kërkesat e opozitës për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve". Asambleja e PS vendosi mbrëmjen e se shtunës të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›