“Daily News”:Palët në dialog, për të zgjidhur ngërçin

Kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë që prej zgjedhjeve politike të vitit 2009, duke u vazhduar të thellohet pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, vazhdon të trajtohet nga mediat ndërkombëtare.
Këtë herë, prestigjiozja “Daily News” trajton problematikat e Shqipërisë në 20 vitet e demokracisë si dhe përpjekjet për integrim në strukturat europiane. Zgjedhjet e 8 majit, ishin një shans i mirë për të bërë hapa para drejt integrimit sipas diplomatëve europianë, por procesi zgjedhor i 8 majit rezultoi një shans i humbur.
Në fund të procesit për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama rezulton fitues me vetëm 10 vota ndaj rivalit Basha, por ky rezultat ndryshon me 95 vota avantazh në favor të Bashës, pas vendimit të KQZ, kundërshtuar fort nga opozita për numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, fletë të cilat në zgjedhjet e mëparshme ishin cilesuar të pavlefshme.
Më tej, “Daily News” citon komisionerin për Zgjerim Fyle, i cili deklaron: "Situata vazhdon te jetë e njëjtë, duke mos pësuar asnjë ndryshim".
“Daily News” shkruan se europianët, janë të lodhur nga Shqipëria. Për rreth dy vjet, që nga zgjedhjet e kontestuara politike të vitit 2009, vendi është duke kaluar një krizë politike, si pasojë e së cilës një sërë reformash që kërkojnë 3/5 e votave në parlament mbeten të bllokuara.
Në janar të vitit 2011 kjo krizë u kthye e dhunshme ku gjatë një demonstrate të opozitës mbetën të vrarë 4 protestues. Në Shqipëri ka një mungesë të theksuar dialogu midis opozitës dhe maxhorancës. Përpjekjet e BE dhe Amerikës për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës nuk dhanë rezultat, lideri i maxhorancës Berisha si dhe ai i opozitës Rama, nuk arritën të gjejnë kompromisin.
“Daily News” vë theksin tek tejkalimi i krizës dhe zhvilimin e reformave integruese. Në këtë shkrim citohet më tej komisioneri Fyle, i cili shpehet se reforma zgjedhore mbetet një kusht i rëndësishëm për aspiratat Europiane të Shqipërisë. Partitë politike duhet të ulen në dialog, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur ngërcin.