Topalli: Të krijojmë historinë e Parlamentit

Historia e Parlamentit të Shqipërisë është objektivi i radhës me të cilin mazhoranca kërkon të hedhë dritë. Me një vendim të byrosë së Kuvendit që mban firmën e kryeparlamentares Topalli, parashikohet që ky historik ti nënshtrohet një studimi të thellë që do të lejojë përcaktimin e fillimit të historisë institucionale të Parlamentit. Kështu historiku i Kuvendit të Shqipërisë është projekti i radhës i kryetares së Kuvendit edhe në vigjilje të 100- vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Në këto kushte, byroja e Kuvendit ka marrë një vendim i cili lidhet me ngritjen e një grupi historianësh dhe juristësh, të cilët do të fokusohen në një studim i cili përcakton fillimin e parlamentarizmit në vendin tonë. Sipas këtij vendimi, parashikohet që ky grup do të bëjë rillogaritjen e numrit të legjislaturave që prej ditës së parë ku u krijua parlamenti deri në ditët e sotme. Megjithatë nga të dhënat historike, bëhet fjalë që historia e parlamentarizmit në vendin tonë daton në fillim të shekullit të 20 kur u krijua Asambleja legjislative e parashikuar nga Statuti organik i Vidit 1914, por që nuk funksionoi. Më pas, institucioni i parë që kishte funksionin e Kuvendit ishte Këshilli Kombëtar, i dalë nga kongresi i Lushnjës në vitin 1920. Që prej asaj kohe e deri më sot, Parlamenti shqiptar ka marrë emra të ndryshëm, sipas regjimit që ka ekzistuar, për të mbërritur në vitin 1991 kur kemi Parlamentin pluralist të Republikes Parlamentare , emër të cilin mban edhe sot e kësaj dite.
Kështu 20 vite me vonë, byroja Parlamentare vendosi që të përfshijë historianë dhe juristë të shumtë për të stuiuar fillimine parlamentarizmit. Këtij grupimi, do t`i sigurohet bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave apo institucione të tjera si dhe do të asistohet nga stafi i Kuvendit.