Daily Star: Kumbaro i kushtoi 100 mijë paundë buxhetit britanik

100 mijë paundë i ka kushtuar Ilir Kumbaro buxhetit të Britanisë. E përditshmja Daily Star, në një shkrim për të kërkuarin e drejtësisë shqiptare, thotë se taksapaguesit britanikë kanë paguar një shifër marramendëse për azilantin shqiptar i cili akuzohet për torturë dhe pengmarrje, dhe që tashmë ndodhet në arrati.
Ish-agjenti i shërbimeve sekrete shqiptare, sipas gazetës, ka shëtitur i lirë në Londër prej vitesh, pasi fitoi statusin e azilantit. 56-vjecari u prezantua në Britani me emrin e kosovarit Shaqa Shatri dhe tha se ka qenë një viktimë e policisë serbe prandaj duhej të largohej nga vendlindja.
Gjatë kësaj kohe ai përfitoi strehim falas, përpkrahje sociale si edhe një pasaportë britanike me të cilën ka kryer shumë udhëtime, duke shkuar edhe në Kinë.
Identiteit i tij i vërtetë u zbulua vetëm tre vite më parë, dhe gjatë kësaj kohe Kumbaro ka luftuar kundër ekstradimit në Shqipëri duke fituar edhe mbështetjen e gjykatës londineze.
Duke e konsideruar tronditës vendimin e gjykatës për lirimin me kusht, gazeta citon një burim të agjensisë së kufirit i cili thekson se Kumbaro është një person kalkulativ dhe që ja ka dalë mbanë me sukses të përfitojë të ardhura duke pretenduar se ishte viktimë e torturës.
Tashmë autoritetet policore britanike janë vënë në kërkim të 56-vjeçarit, dhe sipas Pete Rance, një zyrtar i agjensisë së ekstradimit, ai nuk duhet të kishte përfituar kurrë liri me kusht nga gjykata. Rance shpjegon se tashmë kjo çështje është kthyer në një gjueti ndërkombëtare, pasi mbi Kumbaron rëndojnë akuza shumë të rënda.
Ilir Kumbaro akuzohet në Shqipëri për rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshaj, Zison Kristopulli dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.