E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Klandestinët në Itali, jo nga Shqipëria

Lajmin e konfirmoi sot Policia e Shtetit, me anë të një reagimi zyrtar, ku sqaroi të dhënat e marra nga homologët e saj italianë. Sipas policisë, në brigjet e Salentos në Itali mbërritën 57 klandestinë afganë dhe iranianë.

“Duke e cilësuar këtë lajm të pavërtetë, sqarojmë opinionin publik se nga të gjitha  komunikimet zyrtare të Policisë së Shtetit me autoritetet Italiane të zbatimit të ligjit rezulton që klandëstinët e kapur nuk kanë mbërritur në territorin e shtetit Italian nga Shqipëria”, theksoi reagimi.

Sipas policisë italiane, të cituar nga ajo shqiptare, më datë 09.12.2011, në orën 23.55’, nga avioni “Frontex” në perëndim të Korfuzit është vënë re një mjet lundrues, i dyshuar gomone e përmasave të mëdha, i cili ishte drejtuar në drejtim të S.M. në Leuca, ku në vijim ka zbarkuar dhe klandestinët.

“Mjeti lundrues, pasi ka zbarkuar klandestinët është larguar menjëherë në drejtimin nga ishte nisur dhe është humbur kontakti radar me të në afërsi të ishullit të Korfuzit, për shkak të detit shumë të trazuar”, thuhet më tej.

“Brigjet shqiptare monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga aparatura të teknologjisë më të fundit bashkëkohore, si dhe nga mjete lundruese të fuqishme, të cilat në bashkëpunim të ngushtë dhe me homologët italianë, bëjnë të mundur kontrollin e hapësirës ujore dhe ndërhyrjen në mënyrë të menjëhershme në rast tentative trafikimi”, thekson Policia e Shtetit. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-11 11:33
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›