E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daja: Partizanit, "operacion plastik" në derbi!

 

Trajneri blu Ilir Daja deklaron se skuadra e tij nuk duhet të kapet nga euforia

Sot të gjithë sytë e mbarë opinionit sportiv në Shqipëri do të jenë fokusuar në stadiumin "Selman Stërmasi", për të ndjekur superderbin midis Dinamos dhe Partizanit, ku do të vendosen fatet e kampionatit. Dinamo gjatë këtyre ditëve është stërvitur në Shijak, larg kamerave, gazetarëve dhe "spiunëve" të mundshëm të palës kundërshtare nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja. Pikërisht tekniku dinamovit, kërkon t'u bëjë thirrje futbollistëve që drejton të jenë të kujdesshëm në derbi, duke u ruajtur nga euforia. Gjithashtu, ish-trajneri i Elbasanit vlerëson skuadrën e Partizanit si një rival tepër i fortë.

- Z. Daja, si paraqitet gjendja e grupit përpara një ndeshjeje tepër të vështirë si ajo e sotmja ndaj Partizanit, ku do të ndahen dhe fatet e kampionatit?

- Edhe ata futbollistë që kanë qenë të dëmtuar, që deri dje janë stërvitur të diferencuar, siç ka qenë Poçi e ndonjë tjetër, tashmë janë pranë grupit. Gjendja e skuadrës është shumë e mirë dhe e plotë, lojtarët e dëmtuar tashmë janë në rikuperim të plotë. Na kënaq fakti se do të jemi me grup të shëndoshë.

- Çfarë vlerësoni më shumë te skuadra e Partizanit?

- Sigurisht që edhe ata kanë bërë një kampionat të mirë, ashtu si dhe Dinamo, pasi kanë qenë gjatë gjithë kohës rivalët tanë. Ndërkohë, vlerësoj dhe grupin e futbollistëve që kanë në dispozicion dhe mënyrën sesi janë shprehur deri tani në kampionat.

- Por për trajnerin Lika, si kolegu juaj, ç'mendim keni?

- No coment!

- Fakti që luani për dy rezultate, pasi edhe barazimi do t'ju shpallte matematikisht kampionë, do të thotë që do të luani në mbrojtje ndaj Partizanit?

- Jo, absolutisht jo, sepse është një ndeshje që i mbart të gjitha brenda. Nëse mendojmë se duke u mbyllur në mbrojtje do të marrim barazimin, do të gabonim fatalisht. Ne do të futemi në fushën e blertë për ta fituar ndeshjen, por sigurisht do të jemi të kujdesshëm si në një "operacion plastik", me vëmendje maksimale, pasi përballë nesh kemi një rival të denjë dhe një ndeshje ku gabimet nuk na falen. Nuk do të tërhiqemi prapa, por do të kërkojmë t'i imponojmë lojën tonë kundërshtarit.

- Partizani e ka nisur prej ditësh presionin mediatik ndaj jush. Xhani thotë se Dinamon e mundim edhe në kompleksin e saj, ndërkohë që Osmani deklaron se bluve do t'u nxjerrim dhe presidentin me të kuqe, duke iu referuar 2 ndeshjeve të fundit të tyre në kampionat ndaj Vllaznisë dhe Skënderbeut, ku janë nxjerrë plot 5 kartonë të kuq...?

- Kam aq shumë punë për të bërë në këtë rifinicion të kampionatit, kështu që do të ishte shumë e gabuar nga ana ime të merrem me një person si puna e "Robert Çamçakizit". Jam i përqendruar tek skuadra ime dhe nuk dua të shpërqendrohem as edhe 1% me gjëra të tilla.

- Cila është ajo pikë e fortë, që ju bën të besoni më tepër tek skuadra juaj?

- E kam thënë edhe herë të tjera se, nëse kemi kryesuar kampionatin duke qenë gjatë gjithë kohës një hap përpara kundërshtarëve me meritë të plotë, ky fakt tregon që kemi mundësi maksimale për t'u shpallur kampionë të vendit. Ndërsa ajo pikë që unë besoj më shumë tek skuadra që drejtoj janë futbollistët e mi dhe vlerat e tyre individuale, të cilat i kanë shprehur gjithmonë në funksion të grupit dhe të marrjes së rezultateve pozitive.

- Sa ju ngroh fakti që gjyqtari do të jetë i huaj?

- E kam shprehur edhe më parë se nuk kam asgjë me arbitrat shqiptarë edhe kur jam shprehur përpara ndeshjes në Peqin. Megjithatë, qenia e një arbitri të huaj do të qetësonte çdo paragjykim, por edhe po të ishte shqiptar, mendoj se i ka të gjitha vlerat për të gjykuar një takim të tillë.

- Nëse shpalleni kampion sot, ky titull do të ketë një shije krejt tjetër nga ai i fituar me Elbasanin gjatë sezonit 2005-2006, për vetë lidhjen tuaj me fanellën blu të Dinamos si futbollist në të kaluarën?

- Duhet t'i ruhemi euforisë, pasi ky takim duhet marrë me shumë qetësi dhe me një mobilizim maksimal. Nuk duhet të mendojmë para kohe për festën, por duhet të shprehemi në fushën e lojës, pasi vetëm kështu arsyetojmë dhe e meritojmë punën tonë gjatë 32 javëve. Pra, duhet të mendojmë një herë për ndeshjen dhe më pas për meritat që na takojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›