E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Kushtetueses: Ligjet nuk zbatohen

TIRANË- Tendenca e politikëbërësve shqiptarë për të përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, është shumë më e madhe sesa për t'i zbatuar ligjet në praktikë. Konstatimi është bërë nga kreu i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, i cili duke iu referuar numrit të madh të ligjeve të ankimuara në këtë institucion nga parti dhe grupe të ndryshme interesi, nuk ka ngurruar të shprehë dhe keqardhje për nivelin në të cilin këto ligje paraqiten dhe miratohen në Kuvend. "Konstatoj me keqardhje, se në Shqipëri ka ende një kontradiktë të madhe midis angazhimit me të cilën prodhohen dhe nxirren ligje, dëshirës për t'i përafruar me ligjet e Komunitetit Evropian dhe me forcën e tyre zbatuese", - u shpreh Kristo gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga qendra "Millennium Club" (MÇ) dhe Qendra për "Studime Parlamentare" (SP), ku u diskutua për rrugët e zgjidhjes së problematikës së krijuar në funksionimin e institucioneve kushtetuese në Shqipëri. Një grup ekspertësh, me praninë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të KLDsë, këshilltarëve të zyrtarëve më të lartë të shtetit, studiuesve dhe nën drejtimin e ish-presidentit Rexhep Meidani, kanë zhvilluar dje një debat të hapur lidhur me marrëdhëniet midis institucioneve, apo edhe midis shtetit dhe privatëve, ku natyrisht, kanë ofruar këndvështrime krahasuese të praktikave më të mira perëndimore dhe të vendeve lindore. Duke folur në këtë tryezë, ish-kreu i shtetit Rexhep Meidani ka hapur dhe debatin lidhur me mënyrën e funksionimit dhe praktikës që ndjek Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjen e saj për çështjet që merr në shqyrtim. Sipas tij, historia e viteve të fundit të veprimtarisë së kësaj gjykate ka treguar se shumë prej vendimeve të saj, për shkak edhe të vonesës në konkludim, nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet që janë të detyruara t'i zbatojnë ato. Për të ilustruar me fakt konkret këtë qëndrim, ish-Presidentit ka sjellë si rastin më flagrant atë të ish-kryeprokurorit Arben Rakipi. "Ekziston një problem kohor edhe për procedura apo për pezullime ligji. Dua të sjell këtu në vëmendje rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, të vitit 2002, për të cilin Gjykata Kushtetuese, pasi ishin bërë të gjitha procedurat dhe ishte emëruar prokurori i ri, të hënën bëri vendimin për procedurë për thirrje dhe të martën mori vendimin për kthim të tij. Por, Parlamenti nuk e mori përsipër dhe në shqyrtim, dhe për këtë u detyrua të japë dorëheqjen Kryetari i Kuvendit", - u shpreh Meidani. Por për kryetarin aktual të kësaj gjykate një problem i tillë nuk ekziston pasi vendimet e të gjitha gjykatave janë të vetë ekzekutueshme, përfshi këtu edhe atë Kushtetuese. "Nuk ka probleme me ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e të gjitha gjykatave janë të vetë-ekzekutueshme, e aq më shumë ato të Gjykatës Kushtetuese", - u shpreh Kristo. Megjithatë ai nuk ka mohuar se, edhe në këtë drejtim duhet të ketë përmirësime në legjislacion, sidomos, sa i përket kohës brenda së cilës kjo gjykatë duhet të shprehet për një çështje të caktuar. "Duhet riparë koha e gjykimit të një çështjeje në Gjykatën Kushtetuese dhe zbardhjes së vendimit të saj, për shkak se vonesat mund të zvarrisin zbatimin e vendimit",- shtoi më tej kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo. Ndërkohë që shtrohet ky problem, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim për çështjen "Sollaku", pavarësisht se, prej disa muajsh, në vend të tij është emëruar kryeprokurorja Ina Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›