E Shtunë, 31 Tetor 2026

"A është dëshira e mjaftueshme për të qenë i arsimuar?"

Teorikisht, prej 1990-ës, jemi të lirë. Dhe shihet që pas "hapjes së portës", tendenca më e dukshme (tek rinia dhe jo vetëm) është të jemi të arsimuar në nivel sa më të lartë.

Është e vërtetë që jemi popull me njëmijë e një probleme, ndër të cilët spikat sfida për të qenë vetvetja dhe për të ecur më hapin e kohës. Ndaj, në përgjithësi shqiptarët janë njerëz arsimdashës.

Kjo duket qartë nëse vëzhgon një universitet në prag të sezonit të konkurrimeve. Por edhe nëse nuk do të kishim këtë "bum" universitetesh dhe mundësish, dëshira jonë për arsim, qoftë edhe formal, është e dukshme. Ndoshta thellë-thellë, dëshirojmë që të jemi "një popull i vogël, me ide të mëdha".

Kjo do të ishte më e mira, në sytë e të tjerëve.

Por pyetja është: Kemi thjesht dëshirë që të tjerët të na shohin si të arsimuar, apo kemi pasion të vërtetë për të marrë dije?

A përputhen këto me njëra-tjetrën? A mund të jenë sinonime? Personalisht, jam i mendimit që nuk janë shumë të ngjashme. "Moda" e të pasurit një diplomë universitare është e pamjaftueshme për t'u quajtur i arsimuar, i ditur...

Bashkëjetojnë mundësia e marrjes të një diplome dhe pamundësia e marrjes së dijeve.

Një orë leksioni apo seminari në cilindo universitet, qoftë publik, apo jopublik, a shihet nga të gjithë studentët si një orë mundësie për t'u bërë më të ditur? Kam frikë se jo.

Mund të themi që tashmë jemi futur në një "garë" emancipimi shoqëror, me dëshirën për të qenë si shoqëritë e tjera europiane. Duam të dukemi të tillë, por a jemi realisht?

Dëshira për të qenë më mirë ekziston, kjo nuk ka dyshim. Por mungon vullneti për të hedhur hapin e parë drejt realizimit të kësaj dëshire. Dhe ky hap është Pasioni.

Pasioni është ai që i duhet shoqërisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›