Dajti e Xhoxhi: Leje për tu vizituar nga koka
Avokati kërkon leje për vizita në një klinikë të specializuar dhe rikthimin e makinës së sekuestruar të Dorela Dajtit
TIRANË- Avokati mbrojtës i Ergest Xhoxhit, kunatit të Dritan Dajtit i arrestuar së bashku me të ditën e masakrës, ka kërkuar lirimin e përkohshëm të klientit të tij me pretendimin se duhet të vizitohet tek mjekët. Sipas avokatit Arben Qeleshi, Ergest Xhoxhi ka pësuar shembje në kokë nga goditjet me shqelma të agjentëve të policisë në momentin e arrestimit. Ai pretendon se mjekët e spitalit të burgut nuk mund të kryejnë analizat e nevojshme dhe për këtë arsye duhet zhvilluar një vizitë në klinikat e specializuara. Nga ana tjetër, avokati ka kërkuar edhe "lirimin" e makinës së Dorela Dajtit pasi, sipas tij, ajo nuk ka lidhje me ngjarjen.
Avokatit Qeleshi ka pohuar në prokurori se klienti i tij ka pësuar dëmtime në kokë nga goditjet me shqelma e grushte të agjentëve të policisë, menjëherë pasi i kishin vënë prangat mesditën e 7 gushtit në qytetin bregdetar të Durrësit. "Pasi mora akt-përfaqësimin si mbrojtës ligjor i shtetasit Ergest Xhoxhi konstatova shqetësimin e familjes, se ky i fundit ka dëmtime në kokë nga goditjet që agjentët e policisë i kanë bërë pas arrestimit. Për të provuar këto pretendime, kërkoj nga institucioni i akuzës të më lejohet të takoj klientin tim dhe të marrin masa për krijimin e kushteve që Ergest Xhoxhi t'i nënshtrohet një vizite mjekësore më të specializuar. Pasi, nga informacionet që kemi është konstatuar se ka dhimbje koke të vazhdueshme që nga dita e arrestimit.
Gjithashtu, në konsultën e bërë me mjekun e paraburgimit "Jordan Misja", kemi mësuar se edhe në trup ka shenja dhune",- thuhet në pretendimet e avokatit Qeleshi. Sipas tij, qendra e paraburgimit "Jordan Misja" dhe Spitali i Burgut nuk plotësojnë kushtet e kryerjes së një ekzaminimi të hollësishëm të kokës, prandaj i është kërkuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda të lejojë që Ergest Xhoxhi t'i nënshtrohet një ekzaminimi më të gjerë shëndetësor në spitalin civilë të Qendrës Spitalore Univeritare në Tiranë.
Përveç këtij pretendimi, avokati Qeleshi ka kërkuar nga prokuroria që edhe për Dritan Dajtin të lejohet kryerja e një ekzaminimi të thellë mjekësor, pasi ende në trup ka një nga tre predhat e plumbave të marrë nga pistoletat e agjentëve të policisë mesditën e së premtes gjatë shkëmbimit të zjarrit në plazhin e Durrësit.
Gjithashtu, avokati Arben Qeleshi ka renditur në kërkesën e tij edhe lirimin e makinës së sekuestruar të bashkëshortes së Dritan Dajtit, shtetases Dorela (Xhoxhi) Dajti. "Ditën e ngjarjes, shtetasja Dorela Dajti ka qenë në plazh me makinën e saj private të tipit BMW, makinë kjo e cila është bllokuar menjëherë pas ngjarjes nga policia. Nëse makina nuk është provë materiale në procedimin hetimor ndaj shtetasit Dritan Dajti e Ergest Xhoxhi kërkojmë që ajo të lirohet menjëherë",- thuhet në kërkesën e avokatit Qeleshi të firmosur nga vetë bashkëshortja e Dajtit, Dorela (Xhoxhi) Dajti. Sipas akuzës, me legjitimimin e avokatit mbrojtës në këtë procedim penale, pritet që i arrestuari për "përkrahje të autorit në krime" Ergest Xhoxhi të pranojë të japë versionin e tij për ngjarjen e 7 gushtit kur mbetën të vrarë nga dora e kunatit të tij katër agjentët e Njësisë së Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Policisë në kryeqytet dhe shoku i fëmijërisë së tij Ledion Mara. Ky i fundit, sipas akuzës, dyshohet se është qëlluar gabimisht nga vetë Dritan Dajti, i cili kishte drejtuar tytën e pistoletës në drejtim të agjentit Altin Dizdari që po tentonte t'i vendoste prangat shtetasit Mare.
Këto kërkesa të avokatit Qeleshi pritet që të shyrtohen nga prokuroria javën e ardhshme. Burimet e organit të akuzës janë shprehur se do të refuzojnë kërkesën për leje pasi rrezikshmëria e të arrestuarve është shumë e madhe.
Prokurori: "Jo" kërkesës së babait të Dajtit
Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet refuzoi kërkesën e babait të Dritan Dajtit për tu takuar me të arrestuarin. Babai i Dajtit kërkonte leje hyrëse për në Spitalin e Burgut, për ta vizituar djalin e plagosur në operacionin e policisë për arrestimin e tij, por zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i refuzuan kërkesën.
Argumentimi i mos dhënies së kësaj leje babait të Dritan Dajtit, ka qenë refuzimi i këtij të fundit për tu marrë në pyetje. "Nuk mund të lejojmë takimin e familjarëve me të paraburgosurin, sipas Kodit të Procedurës Penale, kur e shohim të arsyeshme se takimi mes tyre mund të dekonspirojë hetimet që po zhvillohen. Familjarët e Dritan Dajtit nuk mund ta takojnë të paraburgosurin përderisa ai nuk është pyetur nga prokurorët e çështjes për ngjarjen e shtatë gushtit në Durrës, ku mbetën të vrarë nga dora e tij katër agjentë policie dhe një shtetas tjetër",-thuhet nga prokuroria.
Refuzimi i lejes për bashkëshorten
Po për të njëjtën arsye prokuroria ka refuzuar edhe kërkesën e bashkëshortes së Dritan Dajtit, Dorela, duke mos e lejuar që të hynte në Spitalin e Burgut për ta vizituar bashkëshortin e plagosur nga tre plumba të agjentëve të policisë që po tentonin ta arrestonin. Vetë Dajti ka refuzuar të merret në pyetje për ngjarjen pa praninë e avokatit të tij të dikurshëm Ardian Leka, i cili ndodhet me pushime jashtë Tiranës.