E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultati i zgjedhjeve, LSI-ja zëvendëson PR-në në KQZ

Verdikti popullor i 28 qershorit, por edhe kalimi i LSI-së djathtas, pritet ta lërë PR-në jashtë KQZ-së

Në rast se kodi nuk ndryshon në këtë pikë, PBDNJ-ja do të zërë vendin e PSD-së në këtë komision

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, por edhe vullneti i forcave të vogla politike, që arritën të marrin të paktën një deputet, për t'u renditur qoftë në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, pritet të sjellë dhe rikonfigurimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do të administrojë procesin e ardhshëm elektoral. Kështu, në bazë të këtyre dy komponentëve, pra rezultatit të zyrtarizuar së fundmi dhe krijimit të koalicioneve paszgjedhore, mbetet përfundimisht jashtë KQZ-së Partia Socialdemokrate nga e majta, pasi nuk mundi të marrë asnjë mandat deputeti, duke ia lënë vendin në mënyrë detyruese Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, si e vetmja forcë e vogël politike e këtij spektri që mundi të futej në Kuvend. Një fat të tillë pritet të ketë edhe Partia Republikane nga e djathta, e cila jo si detyrim ligjor, por si pasojë e vullnetit të shprehur publikisht nga Kryeministri Berisha, duhet t'ia lërë vendin Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka mundur t'i japë mazhorancës parlamentare 4 vota në Kuvend, kundrejt një të tilli që mundën të sigurojnë republikanët.



Anëtari i pestë

Kalimi i LSI-së nga spektri i majtë (që në legjislaturën e ardhshme do të jetë në opozitë), në spektrin e djathtë ka prishur jo vetëm balancat mes dy kampeve kryesore politike, por edhe ato brenda vetë së djathtës. Si rrjedhojë e kësaj lëvizjeje, LSI-ja ka mundur të sigurojë vendin si forcë e dytë në koalicionin e djathtë, duke spostuar në këtë mënyrë aleaten natyrore të demokratëve, Partinë Republikane. Spostim ky që nuk ka të bëj vetëm me përfaqësimin në qeverisjen e ardhshme, por që pritet të shoqërohet edhe në institucionin përgjegjëse të administrimit të zgjedhjeve në vendin tonë.



Në rast se ndryshimet e pritshme në ligjin zgjedhor nuk do të prekin formulën e përbërjes së KQZ-së, por edhe nëse shefi i mazhorancës, Sali Berisha, do të mbajë fjalën për t'i dhënë LSI-së një anëtar në këtë institucion, atëherë republikanët do të detyrohen të lënë, për herë të parë, vendin e tyre në të. Megjithatë, kjo rokadë do të bëhet vetëm nëse PD-ja do të mbështesë në Kuvend kandidaturat e LSI-së, pasi kodi, në këtë pikë nuk e bën një gjë të tillë detyruese.



Ai përcakton se "anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës" dhe se "Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e partisë më të madhe të saj". Referuar një pike të tillë të kodit, duket se futja e LSI-së në KQZ do të varet direkt nga besimi që kjo forcë do të krijojë tek demokratët gjatë bashkëqeverisjes së tyre.



Për rrjedhojë, ky moment pritet të vërë PD-në dhe LSI-në, si dy aleate të ardhshme në qeveri, në dy pozicione të kundërta, pasi demokratët, për të mbajtur lidhur aleatin e tyre të ri në qeveri, do të synojnë ta shtyjnë bërjen e kodit të ri, duke bërë që, edhe riformatimi i KQZ-së të bëhet në limitet kohore të një mandati të plotë, ndërsa LSI-ja, për të hequr qafe një kushtëzim të tillë, do të synojnë t'i bëjë këto ndryshime në kod sa më parë. Për të shmangur këtë moment, nuk përjashtohet mundësia që LSI-ja ta përfshijë këtë çështje në negociatat që do të zhvillojë në ditët e ardhshme me PD-në, për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës.



Anëtari i gjashtë

Më e qartë duket situata në kampin e majtë, ku rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit ka lënë pak vend për interpretime. Kështu, ky rezultat i jep në mënyrë automatike dhe detyruese PBDNJ-së një vend në KQZ, kjo pasi ajo është e vetmja forcë e vogël e këtij spektri që mundi të sigurojë një vend për në Parlamentin e ardhshëm që pritet të konstituohet në fillim të shtatorit. Kodi parashikon se "Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës". Nga ky detyrim, kjo e drejtë i lind vetëm PBDNJ-së dhe socialistëve nuk u mbetet variant tjetër për të zgjedhur, përveç kandidaturave që pritet të propozohen nga kjo forcë.




Neni 14 i Kodit Zgjedhor

Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së

Pika 1, gërma ç): Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse.



Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim.




Zogaj: Vendin LSI-së në KQZ, ia jep kodi dhe jo Berisha

Në lidhje me rokadën e partive të vogla të djathta në KQZ, ka reaguar dje edhe deputeti aktual i PD-së, Preç Zogaj, i cili më 28 qershor nuk mundi të sigurojë një vend për në legjislativin e ardhshëm. Sipas tij, është Kodi Zgjedhor ai që i jep automatikisht Lëvizjes Socialiste për Integrim një komisioner në KQZ dhe jo Kryeministri Berisha. Duke iu referuar pikërisht një deklarate të para disa ditëve të kreut të mazhorancës qeverisëse, i cili u shpreh se do t'i jepte LSI-së një vend në KQZ, Zogaj thekson se një gjë e tillë nuk varet nga vullneti apo dëshira e Kryeministrit, por nga Kodi Zgjedhor.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›