PS e Pogradecit, rezolutë kongresit: Të mos njihen zgjedhjet
Asambleja e Pogradecit ka miratuar një rezolutë, ku i kërkon kongresit të mos pranojë dorëheqjen e Ramës
Pas socialistëve të Fierit, edhe ata të Pogradecit mbështesin vendimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së në lidhje me qëndrimin e mbajtur për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe inkurajojnë kreun aktual të kësaj force, Edi Rama, që të rikandidojë në garën e ardhshme elektorale, e cila do të zhvillohet për postin e kryetarit të partisë gjatë muajit shtator. Nuk bëhet fjalë thjesht për mendime sporadike të anëtarëve të kësaj force për këtë qytet, por për një dokument të miratuar nga Asambleja Socialiste e Bashkisë Pogradec.
Të shqetësuar për situatën e krijuar në këtë parti, nga disa zëra që kërkojnë të shfrytëzojnë rezultatin e zgjedhjeve për përfitime personale, kjo strukturë e lartë lokale e PS-së, në harmoni edhe me qëndrimin e AKS-së, vlerëson se ky proces zgjedhor cenoi dukshëm standardet demokratike të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe nga vetë zgjedhësi shqiptar. Pasi u evidentua se përdorimi i pushtetit nga ana e Partisë Demokratike, duke bërë presion ndaj administratës, zgjedhësve dhe komisionerëve, por edhe përdorimi i KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor si vegla politike, kanë cenuar rëndë standardet e zgjedhjeve, socialistët e qytetit juglindor, në një letër drejtuar PSSH-së, AKS-së dhe Kongresit, si organi më i lartë vendimmarrës, kërkojnë mosnjohjen e zgjedhjeve dhe institucioneve që do të lindin prej tyre, si Parlamentin dhe qeverinë. "Duke i konsideruar vendimet e kongresit të partisë si jetike për vazhdimin e luftës politike ndaj kundërshtarëve tanë të vjetër dhe të rinj, të Partisë Demokratike dhe LSI-së, ne, anëtarët e Asamblesë Socialiste të Bashkisë Pogradec, miratojmë njëzëri vendimet si vijon: T'i kërkojmë Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së mosnjohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, si zgjedhje jashtë çdo standardi demokratik dhe të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe që aspiron për anëtar të BE-së, t'i kërkojmë Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së të mos njohë Parlamentin e ri, qeverinë dhe të gjitha institucionet që rrjedhin nga këto zgjedhje të manipuluara", - thuhet më tej në letrën me vendimet që ka miratuar Asambleja Socialiste e Bashkisë Pogradec.
Më tej ata i kërkojnë kreut socialist, Edi Rama, të qëndrojë në krye të partisë dhe ta udhëheqë atë në garën e ardhshme elektorale. Por, duke i paraprirë një dorëheqjeje të mundshme të Ramës nga ky post, për shkak të detyrimeve tij statusore, Asambleja e Pogradecit i kërkon kongresit të mos e pranojë një akt të tillë. "Asambleja i kërkon kryetarit të PS-së, z. Edi Rama, të qëndrojë në krye të PS-së drejt fitores së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. I kërkon Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së të mos njohë dorëheqjen e z. Rama, ose në të kundërt, të miratojë kandidaturën e z. Rama, si kryetar i PS-së për zgjedhje të reja, sipas parimit 'një anëtar një votë"', - thuhet në këtë letër. Në përfundim, ata u bëjnë thirrje të gjithë delegatëve të kongresit dhe anëtarëve të strukturave të PS-së në qendër, të punojnë së bashku për bashkimin e PS-së dhe jo për përçarjen e saj.