Dajti kërcënon gjykatësit dhe paralajmëron: Pas zgjedhjeve do hap kutinë e Pandorës
Tiranë- Dritan Dajti, i akuzuari për vrasjen e katër agjentëve të policisë, ka paralajmeruar sot gjykatën se pas zgjedhjeve do të flasë dhe do të hapë kutinë e Pandorës.
Ndërsa ka dështuar seanca e radhës, Dajti akuzoi gjykatën se është ajo që po e zvarrit qëllimisht këtë proces. Seancën e parafundit policia shoqëroi madje edhe një nga pjestarët e familjes së tij që kishte ardhur në sallë për të ndjekur gjyqin, dhe ai ka pohuar se kjo çështje nuk është më një çështje e drejtësisë, por një çështje personale ndaj dhe ai do ta konsiderojë si të tillë tani.
Nëse ju doni kështu, atëherë do të prisni të dëgjoni. Pas zgjedhjeve do të flas unë, do ta hap unë kutinë e ‘Pandorës’ dhe do të shikoni se çfarë do të mësoni,- kjo ka qenë deklarata e Dajtit nga kafazi i të pandehurve në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Dajti kërcënoi hapur gjykatësit nga kafazi i hekurt duke u thënë se do të kenë një çështje personale me të dhe duke theksuar disa herë se unë jam Dritan Dajti, se këtu keni të bëni me Dritan Dajtin Gjykatësit janë ndjerë në një pozicion të vështirë dhe nuk e kanë fshehur panikun duke u munduar të komunikojnë me qetësi me të akuzuarin dhe duke i thënë se nuk kanë asgjë personale më të.
Pas këtyre kërcënimeve të hapur, mësohet se Ministria e Drejtësisë mund të vendosë marrjen e masave shtesë të sigurisë ndaj gjyqtarëve që kësaj çështjeve, si për ata personalisht ashtu edhe familjet e tyre.
Ndërkohë që nuk dihet se kujt i drejtohej mesazhi se pas zgjedhjeve do të hap kutinë e ‘Pandorës’. Por në kohën e arrestimit, pati akuza deri edhe në media se ishin disa prej zyrtarëve më të lartë të policisë së shtetit që ishin të lidhur me Dajtin, e madje ata edhe e informonin për operacionet për kapjen e tij. Madje, dyshimet erdhën edhe për dekonspirim të operacionit ku mbetën të vrarë edhe katër agjentët e policisë në Durrës, kur u arrestua Dajti. Këto kanë çuar në aludime se janë bërë shkak edhe për zvarritjen e procesit gjyqësor, për të mos e përfunduar atë.