E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti kërkon gjyqtarë e prokurorë si dëshmitarë

Dritan Dajti në gjyq

TIRANE – Seanca e parë gjyqësore ndaj Dritan Dajtit në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “fyerjes së gjyqtarit” solli zhvillime që mund të ndikojnë në gjykimin e tij te Gjykata për Krimet e Rënda. Në zbatim të një vendimi të ndërmjetëm të gjyqtarit Petrit Çomo, dy prokurorët e dosjes “Dajti” te Krimet e Rënda, si dhe dy nga gjyqtarët e çështjes duhet të dëshmojnë në procesin kundër Dajtit në Gjykatën e kryeqytetit. Por, dëshmia e gjyqtarëve, anëtarë të pesëshes që gjykojnë Dajtin, duket se do të bëhet shkas që ky i fundit të kërkojë përjashtimin e tyre nga procesi. Kërkesa për të thirrur si dëshmitarë gjyqtarët Ardit Mustafaraj e Idriz Mulkurti, si edhe prokurorët Eugen Beçi dhe Ardian Nezha u bë dje nga i pandehuri Dajti dhe mbrojtësi i tij. Përmes tyre Dajti pretendon se do të kundërshtojë akuzën “fyerje të gjyqtarit” të ngritur ndaj tij. Pasi prokurori paraqiti dje kërkesën për gjykim përpara gjykatës, i pandehuri Dajti u shpreh se nuk e pranonte akuzën. “Procesi është farsë dhe i trilluar. Akuza ndaj meje është e qëllimshme”, u shpreh Dajti. Përfaqësuesi i Prokurorisë relatoi para gjykatës se procedimi penal ndaj Dajtit kishte nisur pas një kallëzimi penal nga një prej ish-anëtarëve të trupës gjykuese të Dajtit te Krimet, gjyqtari Gurali Brahimllari. Vepra për të cilën akuzohet Dritan Dajti është konsumuar prej tij në një nga sallat e Gjykatës për Krimet e Rënda, në seancën e datës 2 prill 2012, të procesit të tij gjyqësor. Në këtë seancë, pas një konfliktimi me kryesuesen e trupës, gjyqtaren Nertina Kosova, Dajti lëshoi kërcënime dhe fraza fyese ndaj trupës gjykuese. Për shkak të këtij episodi, më 5 qershor Gjykata pranoi kërkesën e Dajtit për përjashtimin e kryesueses Kosova. Ndërsa më 26 qershor, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për përjashtimin e gjyqtarit Gurali Brahimllari. Në anën tjetër, gjykimi ndaj Dritan Dajtit në Gjykatën për Krimet e Rënda nuk është zhvilluar normalisht prej disa seancash. Shkaku kryesor i zvarritjes është mosparaqitja e mbrojtësve në gjykim.                             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›