Spektakël tifozerish, derbi është i Tiranës
Kupa/ Humbet Shkumbini e Luftëtari, barazon Skënderbeu, fiton Flamurtari.
Partizani shpërdoron, bardheblutë i falen Morinës dhe G. Likës.
Tirana ka fituar derbin në Kupën e Shqipërisë ndaj Partizanit, duke bërë një hap të sigurt drejt kualifikimit. Sakaq, humbet Shkumbini e Luftëtari, ndërsa Skënderbeu nuk shkon më shumë se një barazim. Nën një atmosferë elektrizuese në “Qemal Stafa” është rikthyer pas tri vitesh derbi tradicional dhe më i rëndësishmi historikisht i kampionatit shqiptar. Partizani, tashmë një kategori më poshtë, priste Tiranën emërmadhe, por në kundërshti nga sa parashikohej, nuk u vunë shumë re diferencat në fushën e lojës. Gjithsesi, bardheblutë arrijnë të gjejnë shumë shpejt golin që në minutën e 8-të, me anë të sulmuesit të tyre Mario Morina. Shpërthen stadiumi në pjesën e tifozëve të Tiranës. Kjo atmosferë e njëanshme do të barazohej tri minuta më vonë: të kuqtë, sepse fitojnë një penallti, të cilën e kthen në gol Thana. Stoperi bardheblu, Pisha, e ka ndërprerë në mënyrë të parregullt vërshimin e Sulçes, i cili është i vendosur në majën e sulmit të Partizanit, i ndihmuar edhe nga Buliç, ndaj kryesori Jemini nuk heziton, por tregon dorën nga pika e bardhë. Në minutat në vazhdim loja do përqendrohej kryesisht në mesfushë, por me Tiranën që falë kualiteteve arrin të rrezikojë më shumë te porta e “demave të kuq”. Kur dukej se pjesa e parë po mbyllej në shifra të barabarta, del në pah Gilman Lika, i cili, përmes një goditjeje të fuqishme, e detyron për herë të dytë portierin e kuq ta nxjerrë topin nga rrjeta e vet. Është minuta e 43-të dhe skuadrat pajtohen me këtë realitet për 45 minutat e para. Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri i Partizanit bën zëvendësimet e tij, duke gjallëruar disi lojën. Gjithsesi, sulmi i Partizanit, edhe pse angazhohet në disa veprime të bukura individuale të Sulçes, nuk arrin të çajë dot mbrojtjen bardheblu. Rastin më të mirë në fund e ka pasur Braho, i cili nga një pozicion ideal nuk arrin të barazojë. Mbyllet këtu me bardheblutë, që e shikojnë veten drejt kualifikimit.
Në ndeshjet e tjera bie në sy barazimi 2-2 i kampionëve të Skënderbeut me Olimpikun e Kategorisë së Dytë. Madje, bardhekuqtë shkuan dy herë në disavatazh, por arritën të rikuperojnë. Por, më keq shkon për Shkumbinin dhe Luftëtarin, të cilët munden nga dy skuadra si Butrinti dhe Gramshi, që militojnë një kategori më poshtë. Triumfon Vllaznia 2-0 në Fushë-Krujë, me dy gola të të riut Guri, ndërsa ka shpërthyer në goleadë Teuta në Ersekë, teksa ka shënuar plot 4 herë. Lushnja i ka dhënë një “shuplakë” të fortë Pogradecit, ndërsa Flamurtari është mjaftuar me një gol në fushën e Kuçovës.
Nikolin Çoçlli: Rikthyem Partizanin
Partizani humbi, por për Nikolin Çoçllin kjo ishte një fitore e madhe. U rikthyen të kuqtë. Ky është opsioni i numrit një të stolit të “demave”. “Nga ajo që pamë sot (dje) në këtë derbi, mendoj se do të ishte e tepërt që të flinim për rezultatin. Humbëm me shifrat 1-2, por për ne kjo ishte një fitore. Ajo që më gëzon është që i dhuruar kësaj tifozerie emocione. Ata kanë dhanë shumë për ne, duke parë për dekorin dhe atmosferën e krijuar. Duke e nisur nga entuziazmi, në fakt lojtarët u futët nën presion në fushë. Mirëpo me kalimin e minutave e morëm veten, madje arritëm në disa drejtime që ta administronim lojën. Na kishte munguar ky duel prej tre vitesh, por me atë që ne dhamë në fushë, mendoj se e justifikuam”, tha Çoçlli.
Lekbello: Gabuam shumë para porte
Artur Lekbello, trajneri i Tiranës, në ndeshjen e tij të dytë në krye të stolit, merr një fitore kundër Partizanit. Ndoshta tifozeria priste goleadën, mirëpo tekniku e thotë hapur se e ndiente që edhe aq e lehtë nuk do të ishte. “Kështu ndodh në derbi. E prisja që të merrte këtë drejtim, e kam thënë edhe para këtij dueli që me ndeshje të tilla nuk bëhet shaka. E dija që nuk do të ishte e lehtë, pasi është një derbi, ndonëse Partizani vjen nga një kategori më poshtë, në fushë ata ishin të karikuar. Ata donin të dëshmonin se përballë Tiranës janë po ata, ndaj dhanë edhe shpirtin në fushë”. Kështu e nisi deklaratën e tij menjëherë pas përfundimit të këtij takimi, timonieri më i ri i Tiranës.
Kupa e Shqipërisë/ Turi 1/16
Grupi A
Partizani-Tirana 1-2
Thana 11′ (p)/ Morina 8′, G.Lika 43′
Olimpiku-Skënderbeu 2-2
Jonuzi 23′, E.Fuçia 58′/ Kuli 24′, Fernando Soza 74′
Himara-Kastrioti 0-2
Karapici 16′, Fataki 71′
Dinamo-Kamza 0-1
Bytyçi 49′ (p)
Iliria-Vllaznia 0-2
Guri 69′, 73′
Butrinti-Shkumbini 2-0
Dorti 63′, 89′
Elbasani-Apolonia 0-0
Besëlidhja-Kukësi 2-4
Malasi 26′, Lekaj 53′/ Alikaj 18′, 62′ (p), 65′, Progni 67′Grupi B
Gramozi-Teuta 0-4
A.Hoxha 41′ (p), Dosti 62′, Çaushaj 81′, R.Hoxha 85′ (p)
Naftëtari-Flamurtari 0-1 Lena 54′
Tërbuni-Bylis 0-2
Ferko 35′, Adan 44′
Mamurrasi-Laçi 0-3 Buljan 38′, 74′, Nimani 85′
Ada-Tomori 2-1 Erkoçeviç 40′, Ed.Doçi 90+1′/ Muzhaj 33′
Gramshi-Luftëtari 1-0
Çekrezi 74′
Lushnja-Pogradeci 5-0
Bizhyti 18′, Canka 27′, 78′, Galica 58′, 67′
Burreli-Besa 1-4
Pirani 23′ (p)/ Maliniç 11′, 13′, Dita 37′, Hasa 56′
LEONARD KARAJ